Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se kishte marrë mbështetje të madhe nga SHBA dhe DASH në takimin me zyrtaren e lartë amerikane.
Në një deklaratë për mediat pas takimit të zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, Alibeaj u shpreh se me zyrtaren e lartë të DASH kishin diskutuar çështje të rëndësishme që shqetësojnë vendin, që nga çështje të shtetit të së drejtës deri tek lufta kundër korrupsionit.
“Folëm për çështje të rëndësishme që Shqipëria duke u përballur, siç është ajo e demokracisë, me të gjitha sfumuturat e veta, çështje që lidhen me zgjedhjet, krimit të organizuar.
Diskutuam edhe për çështje të shtetit të së drejtës. Po kështu edhe për çështje të rëndësishme siç është ajo e luftës ndaj korrupsionit. Dhe unë besoj që janë sfida të vërteta dhe i shpreha vërtetë vendosmërinë, qartësinë tonë për të çuar përpara këto sfida dhe për të dhënë kontributin tonë.
Nuk mund të lija pa diskutuar marrëdhënien e posaçme që Partia Demokratike ka pasur me Shtetet e Bashkuara që në lindjen e saj e në gjithë trajektoren e veprimtarisë politike të Partisë Demokratike. Me kënaqësi vura re dhe pashë mbështetjen e madhe për këtë marrëdhënie të posaçme që SHBA ka me PD. Sigurisht dihet fare mirë situate e vështirë që po kalon Partia Demokratike.
Por mora mbështetjen e zonjës dhe Departamentit të Shtetit dhe shtetit amerikan për mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme drejt integrimit europian, të një opozite pro amerikane e cila sheh nga e ardhmja. Besoj që këto janë çështje të rëndësishme të cilat preokupojnë jo vetëm PD, por gjithë Shqipërinë në këtë situatë”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.
Gazetarja: A u fol për situatën e Brendshme në PD dhe a u përmend emri i Sali Berishës?
“Sfidat janë që prekin të gjithë Shqipërinë. Juve duhet ta dini se flitet për çështje të rëndësishme. Si demokracia shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit”, u shpreh Alibeaj.