Aktualitet Mbyllen 240 zyra të gjendjes civile, do të jenë vetëm 150 në...

Mbyllen 240 zyra të gjendjes civile, do të jenë vetëm 150 në të gjithë vendin

Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme reduktimin e zyrave të gjendjes civile, të cilat do të jenë vetëm 150 në të gjithë vendin.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se për këtë arsye të gjitha shërbimet e qeverisë që ofroheshin edhe online, tashmë do të jenë vetëm online.

Çuçi tha se nisur nga ky vendim të gjitha institucionet e administratës janë të detyruara t’i sigurojnë vetë dokumentet e gjendjes civile për një shërbim që i jep një qytetari.

“Do ketë vetëm 150 sportele në gjithë Shqipërinë për të marrë vetëm ato shërbime për të cilat duhet prezenca fizike e qytetarit, për të tjerat janë 8 shërbime që do të merren vetëm online. Do shkëputet kontakti i qytetarit me sportelet fizike”, tha Çuçi.

“Nëse një qytetar do të marri një shërbim nga Ministria e Arsimit dhe për këtë do i duhet një certifikatë si dokument plotësues, nuk do të jetë më qytetari që do ta sigurojë këtë, do të jetë vetë institucioni që do ta sigurojë këtë. Vetëm nga Ministria e Brendshme janë rreth 90 shërbime që prej datës 1 Maj do të ofrohen vetëm online”, u shpreh ministri Çuçi.