Manchester United e ka nisur shumë keq sezonin në Premier League, ndaj presioni po fillon të rritet ndaj Ole Gunnar Solskjaer. Massimiliano Allegri shihet si zëvendësuesi i mundshëm i norvegjezit.
“Unë nuk flas ende mjaft mirë anglisht, por po mësoj”, – tha me humor Allegri, ndërsa po fliste në një simpoziumin e Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit. Ish-trajneri i “Zonjës së Vjetër”, i cili është pa punë që pas largimit nga Juve, pretendon se aftësitë e tij në anglisht nuk janë akoma të duhurat për një punë në “Old Trafford”. Allegri theksoi më tej se është një trajner që dëgjon më shumë sesa flet.
“Ka dy mënyra për të qenë një trajner i mirë: autoritar dhe liberal. Unë preferoj këtë të fundit, kështu që dëgjoj më shumë sesa flas. Falë kësaj strategjie, marr më shumë informacion nga jashtë dhe e ndryshoj pozitivisht botën time. Ende e vë në diskutim vlefshmërinë e ideve të mia. Debatoj shumë me veten. Edhe nëse mendoj se diçka është 100% e mirë, jam i shqetësuar dhe këshillohem për këtë me njerëzit përreth meje.
Kur shkova në Torino, pas Antonio Conte, shumë menduan se gabova; se Juve ishte djegur, se faza fituese kishte mbaruar, sepse skuadra ishte e ngopur. Juventusi nuk është vendi ku dështimi pranohet. Kjo është arsyeja pse duhej të kërkoja mënyra për ta stimuluar grupin. Kam dëgjuar dhe ndryshuar”.
Allegri foli edhe për marrëdhëniet e tij me sulmuesit Zlatan Ibrahimovic e Mario Mandzukic, gjatë kohës si trajner në Serie A.
“Në Milano, Ibrahimovic ishte i larguar, sepse të tjerët nuk mund të vazhdonin me arsyetimin e tij. Dy vjet i shpjegova se të tjerët nuk luajnë si ai. Ibra duhej ta kuptonte këtë. Trajneri duhet ta përdorë lojtarin në funksion të skuadrës, t’i marrë aq sa mund të ofrojë.
Kjo është arsyeja pse Mandzukic është një lojtar i veçantë për mua. Ai më dha një hapësirë të mahnitshme për të manovruar. Futbollist i shkëlqyer. Mario i ndryshonte shpesh klubet, kështu që kishte vështirësi përshtatjeje. Ai qëndroi në një klub (Juventusi) për pesë vite. Ky është një nga sukseset e mia më të mëdha”.