Massimiliano Allegri prezantohet si trajneri i ri Juventusit, ndërsa e nis sezonin edhe me disa vendime: Bonucci nuk do të jetë zëvendës kapiten, sezonin e ri, zv.kapiten do të jetë Dybala.
Massimiliano Allegri u prezantua sot zyrtarisht si trajner i Juventusit, edhe pse punën me bardhezinjtë në Cotinassa e ka nisur prej dy javësh. Dy vite pas përfundimit të epokës së parë në krye të Zonjës së Vjetër, trajneri nga Livorno nuk e fsheh gëzimin për marrjen e kësaj detyre.
“U ndjeva si të isha 18 vjeç kur fillova stërvitjen, i lumtur dhe i kënaqur. Filloj një cikël të ri me një ekip të shkëlqyeshëm. Ka shumë talente të rinj që kanë mundësi dhe duhet të kenë dëshirën për t’u përmirësuar. Ata janë e ardhmja e këtij klubi. Së bashku me ta, lojtarët me përvojë si Ronaldo, Chiellini dhe Bonucci, duhet të jenë vlerë e shtuar. Kam kaluar pesë vite të mrekullueshme, por dy vite më parë vendosëm të ndanim rrugët. Duhet të vijë muaji mars për të parë nëse mund t’i arrijmë objektivat tanë.”
AND-ja e Juves: “Ndehem krenar për faktin që Juventusi më thirri përsëri dhe për dashurinë e tifozëve. Nga 22 gushti duhet të fitojmë pikë. Ajo që kemi arritur nuk na ndihmon për të fituar trofe të tjerë, duhet të mendojmë për atë që duhet të bëjmë. ADN-ja e Juves është e përpiktë, fitoret vijnë përmes sakrificës”.
Më shumë përgjegjësi nga Ronaldo: “Ronaldo është një kampion i madh, një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një djalë i zgjuar. Kam folur me Cristianon, i thashë se ky vit është i rëndësishëm. Jam i lumtur që e gjeta këtu. Ka një përgjegjësi më të madhe se tre vjet më parë. Pres shumë prej tij për sa i përket përgjegjësisë.”
Dybala dhe Rabiot: “Paulo Dybala është paraqitur shumë mirë fizikisht dhe mendërisht. Kur u largova e lashë si një djalosh dhe e rigjeta si një burrë. Është një futbollist që shënon. Kam folur me të dhe e shoh shumë mirë. Do të thosha se mund të kemi një sezon të shkëlqyer. Rabiot është një lojtar që ka cilësi të rëndësishme. Si mesfushor duhet të shënojë më shumë gola sesa vitin e kaluar. McKennie ka instinktin për gol. Është fat që kjo skuadër ka lojtarë që shënojnë shumë gola. Në fund të kampionatit duhet të shënosh 75 gola: duhet t’i gjesh mes sulmuesve, të cilët shënojnë 40-45, dhe pastaj pjesën tjetër te mbrojtësit dhe mesfushorët”.
Rivaliteti për titull: “Do të jetë një kampionat i ekuilibruar. Milani është rritur, lojtarët e tyre të rinj janë një vit më të vjetër. Milani është favorit, së bashku me Interin, Juventusin dhe Romën, Napolin e Lazion. Do të jetë e rëndësishme të kemi vazhdimësi.”
Bonucci nuk do të jetë zëvendës kapiten: “Kapiteni dhe zëvendës kapiteni vendosen në bazë të viteve të pranisë te Juventusi. Chiellini është më i vjetri, Bonucci është larguar një sezon dhe i ka humbur shumë ndeshje me këtë fanellë. Leo e di këtë dhe në fakt, në vitin tim të fundit, zv.kapiten ishte Mandzukic, pastaj Khedira. Sezonin e ri, zv.kapiten do të jetë Dybala. Bonucci është një lojtar i rëndësishëm dhe do të kthehet me mendjen e duhur, sepse kjo është ajo që të gjithë duhet të bëjnë, duke ditur se nuk kemi shumë kohë në dispozicion”.
Refuzoi Realin– Në fund Allegri pranoi se i ka thënë dy herë jo Real Madridit në kohët e fundit. “Është e vërtetë që i thashë “jo” Real Madridit dy herë. Duhet ta falënderoj Florentino Perez për mundësinë që më dha, por zgjodha kthimin te Juventusi sepse më ka dhënë shumë dhe është një skuadër dëfryese për ta stërvitur, e re dhe mund të përmirësohet shumë”.