Emergjenca e koronavirusit nuk lë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse shtyrjen e Europianit 2020. Zyrtarizimi i këtij vendimi pritet të bëhet këtë të martë, pas video-konferencës që UEFA do të organizojë me 55 federatat anëtare dhe përfaqësues të ligave, klubeve e futbollistëve.
Qëllimi është spostimi i turneut më të rëndësishëm kontinental më 23 nëntor dhe zhvillimi i tij deri më 23 dhjetor. Një ndryshim kolosal për eventin që duhej të niste më 12 qershor dhe të shpallte kampionin e Europës në finalen e 12 korrikut.
Një risi për futbollin ndërkombëtar, edhe sepse në këtë mënyrë do t’i paraprihej Botërorit Katar 2022, i cili duhej të ishte turneu i parë madhor i futbollit i organizuar në dimër.
Në këtë situatë, kampionateve kombëtare do t’u krijohet mundësia që të rinisin në maj dhe të mbyllen normalisht në qershor, për të shpallur kampionët dhe skuadrat pjesëmarrëse në arenën ndërkombëtare.
Për kupat e Europës, në tavolinën e diskutimeve do të jenë disa alternativa: nga organizimi i miniturneve me katër apo tetë skuadra e deri te ndeshjet teke në çerekfinale dhe gjysmëfinale.