Aktualitet Altin Dumani flet për kokat e krimit që strehohen në Dubai: Problematika...

Altin Dumani flet për kokat e krimit që strehohen në Dubai: Problematika vazhdon të thellohet

“Sot, krimi i organizuar ka gjetur një strehë të ngrohtë në Dubai, a keni bërë ju një kërkesë te qeveria shqiptare që të lidhë një marrëveshje për të bërë të mundur ekstradimin e kokave të krimit që strehohen atje? A keni hulumtuar për ndonjë mundësi tjetër?”

Kjo ishte pyetja që iu bë kreut të SPAK, Altin Dumani, nga Enkelejd Alibeaj, teksa ka raportuar këtë të mërkurë para deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare.

Dumani u shpreh se kjo është një çështje mjaft problematike, e cila deri tani nuk ka gjetur zgjidhje. Ai theksoi se ky problem është adresuar, por shton se me të njëjtin shqetësim, janë duke u përballur edhe shtete të tjera europiane.

“Ekstradimi nga Dubai, detyra jonë është ta adresojmë si problematikë. Këtë e kemi bërë që një vit më parë. Ne kaq kemi në dorë, thjesht të adresojmë. Kjo problematikë vazhdon të thellohet. Numri i personave që janë në Dubai dhe janë në kërkim vazhdon të rritet. Ne jemi në kontakte edhe me kolegët tanë në Europë dhe kanë të njëjtën problematikë. Ka edhe raste kur këto shtete kanë marrëveshje për ekstradim, por sërish ai nuk është kryer”, tha Dumani.