Pas lajmërimit për konkurs për vende pune në zyrat e ALUIZNI-t kanë mbërritur qindra dhe mijëra CV nga persona të interesuar.
Këto dokumentacione të gjitha janë në zyrën e kreut të ALUIZNI-t Artan Lame.
Në rrjetet sociale, Lame ka publikuar një foto, ku shfaqet i menduar përballë një “pirgu” me CV siç e quan ai.
Duket se ndërhyrjet për vend pune janë të shumta, çka e ka shqetësuar drejtorin e ALUIZNI-t dhe e ka detyruar atë ti bëjë thirrje që mos fusin miq.
“Aman, në keni perëndi, mjaft me miq, ndërhyrje, e më the të thashë, se të vetmin efekt që kanë, është ta shoh me inat mikxhiun. Çuna, goca që do kandidoni, besojeni këtë përpjekje që po bëni, duke u përpjekur të provoni muskujt tuaj dhe jo muskujt e mikut”, shkruan Lame në Facebook.
Reagimi i Artan Lames në FB
Djem e vajza,
Pas disa ditësh ALUIZNI do të organizojë një konkurs për vende të lira pune në të gjitha drejtoritë Rajonale, prej Shkodrës e deri në Sarandë.
Lajmërimin zyrtar ka ditë që është publikuar dhe besoj që e keni parë.
C’ka më ka bërë përshtypje jane pirgjet me dosje aplikimi dhe numri i madh i CV-ve të mbërritura.
Ju lutem të gjithëve, merreni seriozisht dhe mos e konsideroni si nga ato konkurset e llojit “më ka çu nona me la gojen”. “Nona” kësaj rradhe do vërtet të punësojë njerëz që do t’i bëjnë hyzmetin punës.
Edhe po s’ja dolët kësaj rradhe, mos u mërzisni, jeta ka edhe rrëzime e, veç kësaj, pas disa muajsh do të organizohet një tjetër konkurim masiv, në të cilin përpjekja juaj e tanishme do të vlejë.
Aman, në keni perëndi, mjaft me miq, ndërhyrje, e më the të thashë, se të vetmin efekt që kanë, është ta shoh me inat mikxhiun.
Deputetë e ministra, partiakë e funksionarë, kanë gjithë të drejtën e tyre të interesohen për njerëz ndaj të cilëve kanë detyrime partie, elektorati, e më the të thashë. Por ndërhyrja merr fund tek kandidimi i të mbështeturit prej tyre. Pas atij momenti, e ka fjalën komisioni.
Çuna, goca që do kandidoni, besojeni këtë përpjekje që po bëni, duke u përpjekur të provoni muskujt tuaj dhe jo muskujt e mikut.
Unë vetë ja kam dalë vetë në jetë, se hera e fundit që kam futur mik babin, ka qenë në vitin 1988, që të më regjistronte në një ekspeditë verore arkeologjie në Luaras të Kolonjës.
Suksese të gjithëve në provën tuaj.