Ambasada amerikane bën thirrje që protesta e sotme e opozitës përpara Parlamentit të zhvillohet paqësisht dhe të mos ketë akte dhune.
Në një deklaratë në Facebook, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kërkon gjithashtu autoriteteve që të tregojnë vetëpërmbajtje.
“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Opozita proteston sot përpara Parlamentit në orën 10:00 një ditë pasi dorëzoi mandatet e deputetëve. Për të shmangur tensionimin e situatës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi të mërkurën se seanca plenare e ditës së enjte nuk do të zhvillohet dhe është shtyrë. Ndërkohë, përpara Parlamentit janë vendosur forca të shumta policore, ndërsa garda ka rrethuar me tela me gjemba të gjithë perimetrin e brendshëm të këtij institucioni.