Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka pezulluar përkohësisht shërbimin për vizat dhe pasaportat për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ambasada gjermane në një njoftim në Facebook, ku bën me dije se personat e prekur nga ky vendim do të marrin një datë dhe orë të re aplikimi, në momentin më të parë të mundshëm.
“Prej ditës së sotme, nisur nga gjendja aktuale Zyra e Vizave dhe e Pashaportave të Ambasadës Gjermane në Tiranë është e mbyllur për arsye parandaluese. Personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin në momentin më të parë të mundshëm një datë/orë të re aplikimi.
Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Faceboouk-ut sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj. Lutemi për mirëkuptimin tuaj.
Në raste urgjente konsullore mund të na kontaktoni përmes numrit të shërbimit të gatshëm. Lutemi për mirëkuptimin tuaj që përmes këtij numri nuk mund të japim informacione rreth datave të aplikimit apo procedurave për vizë.”, shkruan ambasada gjermane.