Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka pritur në një takim gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të Apelit të kësaj gjykate.
Në njoftimin e ambasadës amerikane evidentohet rëndësia e gjyqtarëve të pavarur për të shërbyer me integritet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Ekipi ynë i ambasadës priti së fundmi gjyqtarë nga Gjykatat e Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të theksuar rolin kyç të gjyqtarëve të pavarur që shërbejnë me integritet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e tyre për gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme, teksa ata punojnë për të dhënë drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë brenda një sistemi ligjor transparent”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.