Ambasada Italiane në Tiranë u është bashkuar thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për shmangien e dhunës në ditën e zgjedhjeve të 30 Qershorit në Shqipëri.
Ambasada në një mesazh të drejtpërdrejtë për opozitën thekson se ‘Çdo veprim i dhunshëm ose çdo formë nxitjeje për dhunë, në çdo lloj rrethane, janë absolutisht të papranueshme’.
Deklarata e Ambasadës së Italisë në Tiranë
Ambasada e Italisë në Tiranë i bashkohet plotësisht deklaratës së sotme të Delegacionit të Bashkimit Evropian. Është me rëndësi të veçantë që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre të mund ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Gjithashtu, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit – të cilat do të monitorohen nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE / ODIHR ku marrin pjesë edhe vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian – të mos pengohen. Çdo veprim i dhunshëm ose çdo formë nxitjeje për dhunë, në çdo lloj rrethane, janë absolutisht të papranueshme. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese.
Ambasada e Italisë thekson rëndësinë parësore të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në mënyrë që Vendi të përparojë në këtë rrugë, është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen në një dialog të hapur dhe të sinqertë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të realizuar reformat e nevojshme. Në këtë kuadër, Ambasada e Italisë u kërkon të gjitha palëve të mbështesin reformën e drejtësisë në vijim dhe fton të gjitha organet dhe institucionet e përfshira të përshpejtojnë zbatimin e saj, veçanërisht duke garantuar emërime sa me të shpejta, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale. Është gjithashtu e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në realizimin e reformës zgjedhore dhe të respektojnë shtetin e së drejtës, përfshirë këtu edhe luftën ndaj korrupsionit.