Ambasada e Italisë në Tiranë pak orë para protestës së opozitës jo parlamentare deklaron se “respekton dhe mbështet plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por vazhdon të theksojë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore”.
Në deklaratën për shtyp, Ambasada e Italisë në Tiranë “shpreh shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të Vendit. Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”.
“Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurt, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë përshkallëzimi gjatë protestave.
Përdorimi i lëndëve shpërthyese apo çfarëdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm.
Në këtë kuadër, autoritetet ligjzbatuese gjithashtu kanë përgjegjësinë të vazhdojnë të veprojnë me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”, thekson ambasada italiane.
Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave.