Takimi i gjatë i Kryeministrit me ambasadorët e huaj duket se ka dhënë pritshmëri për maxhorancën për këmbënguljen e saj për të ecur përpara me zgjedhjet, pavarësisht lëvizjes së Presidentit.
Sinjali i parë u dha nga Ambasadori i OSBE Borshard, i cili e quajti këtë çështje të brendshme të institucioneve shqiptare dhe se të huajt nuk do të ndërhyjnë. Pra asnjë mbështetje për lëvizjen e Metës, të cilën, burime pranë tij e interpretojnë si një lëvizje e rakorduar me gjermanët.
Burimet ishin të rezervuara për citime gjate takimit, pasi tema është delikate dhe rruga ku Presidenti e futi vendin me këtë lëvizje ka ende të panjohura. Por deri tani vetëm Wadephul me deklaratën e tij la të kuptohet se ishte pro, por deputeti gjerman njihet për afrinë e tij me PD. Mjaft të kujtojmë deklaratën e tij një ditë pas rekomandimit të Komisionit për hapjen e negociatave, të cilin ai e kundërshtoi duke përdorur argumentet e Bashës. Tashmë, Kryeministri Rama është nisur në një tur dyditor në Berlin e Bruksel, ku do të takohet me kryekomisionerin Junker.
Por deri tani lëvizja e Metës ka gjetur vetëm mbështetjen e Lulzim Bashës dhe të bashkëshortes së tij. Ndërkombëtarët ruajnë pozicionin e moskrijimit të precedentit të rrezikshëm që Presidenti tentoi ta kthejë të hënën në fakt të kryer.