Katër ambasadorët më të rëndësishëm në Tirane kanë shkuar në selinë e Partisë Demokratike për tu takuar me liderin e opozitës Lulzim Basha.
I pari ka mbërritur ambasadori i BE Luigi Soreca, me pas ambasadori gjerman Zingraf, ambasadori britanik Norman dhe diplomatja amerikane Lyela Moses-Ones.
Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta, por protagonistet nuk kanë preferuar të bëjnë komente për mediat.
Ky takim vjen vetëm një ditë pasi PD ngriti akuza të forta ndaj procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Numri 2 i PD-së Gazmend Bardhi e cilësoi votimin në parlament të Elsa Toskës e Fiona Papajorgjit si “pjesë te puçit kushtetues të Edi Ramës kundër drejtësisë së pavarur nga politika”.
Por ndryshe nga PD, ambasadorët e përshëndetën procesin. Ambasada amerikane deklaroi se “votimi i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese”, ndërsa Bashkimi Europian theksoi se “e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Me i kujdesshëm ishte ambasadori gjerman i cili deklaroi se “në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin.”
Nesër kthehet nga Parisi presidenti Ilir Meta e pritet të shihet se si do te jetë qasja e kreut të shtetit ndaj një procesi të cilin ai e ka kritikuar ashpër; pasi 3 anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese mund të nisin punë vetëm pasi të betohen në Presidencë.