Kryesore Përplasja tek Unaza e Re, çfarë ndodhi gjatë protestës së sotme?

Përplasja tek Unaza e Re, çfarë ndodhi gjatë protestës së sotme?

IKMT prishi sot 33 objekte në zonën e Unazës së Re. Aksioni, që nisi në orët e para të mëngjesit u mbështet nga policia, që u përball edhe me zemërimin e banorëve. Nga përplasja mes tyre 13 persona, përfshirë 8 banorë dhe 5 policë, u lënduan dhe u dërguan në spital.

Qindra forca policie zbarkuan në orët e para të së martës në zonën e Unazës së Re në mbështetje të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që nisi aksionin e shembjeve të disa banesave në atë zonë.

Ishte ora 5 e 30 e minuta kur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë sulmuan një lokal ku ndodheshin më shumë se 200 banorë të Unazës që qëndronin të ngujuar nga dita e hënë në shenjë revolte ndaj uniformave blu.

Banorët dëshmuan se policia përdori gaz lotsjellës duke shkaktuar shumë të asfiksuar dhe të lënduar ndërmjet tyre.

Disa banorë Unazës së Re nuk pranuan të shkonin për të marrë ndihmën e parë te Spitali i Traumës pasi i frikësoheshin një ndalimi të mundshëm nga policia. Sipas të dhënave zyrtare, kërkuan ndihmën mjekësore ne spitalin e traumës  13 persona, 5 prej të cilëve ishin punonjës të policisë, ndërsa të tjerët protestues.

IKMT ka njoftuar se, në lotin e parë janë projektuar për t’u shembur 33 objekte të zonës së Unazës së Re që fillon nga sheshi “Shqiponja” deri te mbikalimi i shkollës Teknologjike. Vetëm këtë të martë u shembën 24 banesa dhe biznese ne total.

Pavarësisht se banorët kundërshtuan aksionin e Fadromave të Inspektoriatit Kombëtar të mbrojtjes së territorit, ndërhyrja e FNSH nuk i lejoi ata të pengonin aksionin.

Pas kundërshtimit të policisë në aksionin te zona e Unazës së re, sipas të dhënave jo zyrtare 12 protestues u shoqëruan në policinë e Tiranës dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim.