Presidenti Trump njoftoi të enjten se do të emërojë ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.
Richard A. Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar. Zoti Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.
Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.
Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.
Kosova mirëpret emërimin e zotit Grenell
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti emërimin e zotit Grenell, duke theksuar se ky emërim “është një tjetër dëshmi që presidenti Trump, administrata amerikane, tërë shteti amerikan, qëndrojnë pranë nesh në çdo hap të rëndësishëm. Tash jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë. Ky është lajm i mirë edhe për rajonin si dhe të gjithë ata që angazhohen për paqe të qëndrueshme, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjitha shtetet në Evropën Juglindore. E kemi thënë gjithmonë dhe besojmë gjithmonë se jemi me fat që kemi përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj mirëpriti emërimin ndërsa shkroi se pret që të punojnë së bashku “në bisedimet e pakushtëzuara për arritjen e njohjes së ndërsjellë (më Serbinë) në kufijtë ekzistues”.
Emërimi i zotit Grenell pasoi emërimin më 31 gusht të zotit Matthew Palmer si përfaqësuesi i Posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Zoti Palmer që vazhdon të mbajë edhe postin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane, ishte përfshirë në përpjekjet për të nxitur ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Emërimi i tij ishte cilësuar si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa emërimi i zotit Grenell shënon një zhvillim të ri në këtë përfshirje.
Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, Florian Bieber, në një postim në rrjetet sociale ngriti mëdyshjet për rolin e zotit Palmer pas emërimit të zotit Grenell.
Në Prishtinë ambasadori amerikan Philip Kosnett tha se emërimi i zotit Grenell përkrah emërimit të zotit Palmer “dëshmon përkushtimin e qeverisë amerikane ndaj përparimit të shpejtë drejt ardhmërisë paqësore të rajonit”.