Ambasadori i ri i Izraelit në Beograd, Yahel Vilan, ka thënë se Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 4 shtator dhe se puna e njohjes reciproke më nuk është në diskutim.
Vilan ka thënë se tashmë Izraelit i mbetet të shohë se si një veprim i tillë të mos ndikojë në raportet në mes të Izraelit dhe Serbisë.
“Nuk është më në pyetje nëse Izraeli do ta njohë ose jo Kosovën, sepse Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator, dhe tashmë na mbetet të mos lejojmë që një veprim i tillë të ndikojë në raportet në mes të Serbisë dhe Izraelit”, ka thënë Vilan.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm se kjo gjë nuk i ka pëlqyer presidentit serb, por Izraeli është shtet i pavarur dhe se vendimi për njohjen e Kosovës është vendim shtetëror.
“Izraeli është shtet sovran dhe ai është vendim i yni. Marrëveshja është nënshkruar, nuk është diçka që mund ta ndryshoj unë apo Vuçiçi. Duhet të punojmë në avancimin e raporteve dhe të pajtohemi gjithashtu me atë që ka ndodhur para dy javëve”, shtoi Vilan.