Ambasadori shqiptar në Kinë Selim Belortaja, ka përcjell një tjetër apel, por dhe një tablo, rreth situatës së atjeshme nga epidemia e paparë e koronavirusit.
“Jam i shtrënguar të ndërhyj sërish për përgjegjësinë që kemi ndaj bashkëkombasve këtu. Shpërthimi i nCoV nuk është ndalur aspak.
Nuk ka ende një ilaç kundër nCoV!! (shif OBSH bashkangjitur). Numri i të infektuarve rritet me rreth 3000 në ditë (gjithsej raportohen 20.613). Ndërsa vdekjet ditore shkojnë 50-60 (65 vdekje ditën që shkoi). 427 shifra gjithsej.
Jo vetëm udhëheqja e qeveria, por e gjithë shoqëria kineze i është dedikuar këtij prioriteti absolut: stopimit të epidemisë dhe gjetjes së formulës shkencore për shërimin”, shkruan Belortaja.
Ndjeshmëria e tij është më e lartë ndaj shqiptarëve të atjeshëm, kur shkruan:
“Sot që flasim nuk kemi kurrfarë arsye për eufori. I drejtohem sidomos motrave e vëllezërve shqiptarë në Kinë. Sado të ashpra e vështirësuese që po bëhen për jetën e përditshme: ndiqni e respektoni kufizimet, rregullat e rekomandimet e autoriteteve këtu, administrative e higjeno-sanitare. Ato dinë më shumë se ç’bëhet këtu.
E dyta, merreni në dorë vetë zgjedhjen tuaj për vendqëndrimin këto javë!
Askush nuk ka zbuluar ndonjë formulë që s’jua tregon juve! Askush s’ka ndonjë platformë shtetërore të rezervuar! Merrni vendim të pjekur”, apelon ndër të tjera ambasadori ynë në Pekin.