Bota Amerika në flakë, një tjetër natë dhune

Amerika në flakë, një tjetër natë dhune

Dhuna shpërtheu rreth Shteteve të Bashkuara në natën e 6 të protestave të nxitura nga vdekja e afro-amerikanit George Floid, gjatë ndalimit nga policia. Masa e ndalim-qarkullimit është vendosur në gati 40 qytete, por manifestuesit e shpërfillën atë.

Përleshje të dhunshme u shënuan në Nju Jork, Çikago, Filadelfia, Los Angeles e Uashington, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për shpërndarjen e turmës.

“Kërkojmë ndryshime serioze. Është mbushur kupa”, thonë protestuesit. Automjeteve policore ju vu zjarri, dhe dyqane rreth vendit u plaçkitën.

Në Mineapolis, një shofer kamioni u arrestua pasi theu një barrierë rrugore, para se të drejtohej me shpejtësi drejt një turme protestuesish që marshonte në autostradë. Motivi mbetet i paqartë sipas guvernatorit të Minesotës, i cili tha se është mrekulli që nuk ka viktima.

Garda Kombëtare, forca rezerviste amerikane për emergjencat e brendshme, kishte aktivizuar 5000 pjesëtarë të saj në 15 shtete dhe në Uashington, ku turma njerëzish u mblodhën sërish pranë Shtëpisë së Bardhë, këtë herë duke u vënë zjarrin objekteve e duke hedhur gurë kundër forcave të rendit.

Shtypi amerikan zbuloi se presidenti ishte shoqëruar në mënyrë të fshehtë brenda një bunkeri nëntokësor gjatë trazirave të së premtes. Shtetet e Bashkuara po përjetojnë trazirat civile me sfond racor, më të përhapura që prej vrasjes së Martin Luther Kingut në vitin 1968.

Manifestime janë mbajtur në më shumë se 75 qytete, duke ndryshuar rrënjësisht pamjet e rrugëve të boshatisura për shkak të koronavirusit. Rasti i Floid, 46-vjeçari që humbi jetën gjatë arrestimit nga policia, ndezi zemërimin për diskriminimin e personave me ngjyrë nga forcat e rendit.