Opinione Amerika pa liderë

Amerika pa liderë

Në qiell, Amerika e teknologjisë dhe “kapitenët e guximshëm” të industrisë që marrin sërish udhëheqjen e hapësirës. Në tokë, Amerika e stofit social, e cila, e shoqëruar me pabarazitë gjithnjë e më ekstreme, me politikën e polarizuar të shndërruar në një luftë si ajo midis fiseve dhe me pikëpyetjen racore, që nuk ka marrë ende përgjigje. Kontrasti midis pamjeve të qeta të kapsulës “Dragon” që arrin Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe ato të dhjetëra qyteteve amerikane në flakë është metafora banale, por perfekte e Amerikës së sotme: ekonomikisht dinamike dhe triumfuese në inovacion, por e paaftë për të frenuar mekanizmat e shpërndarjes së pasurisë dhe mundësive gjithnjë e më ekstreme që e lënë pjesën më të madhe të vendit të pashpresë për të ardhmen. 2016: Zemërimi i të bardhëve të varfër ia kalon pushtetin një presidenti nacional-populist. 2020: zemërimin e njerëzve me ngjyrë e ndezën tre vrasje të shkaktuara nga brutaliteti i policisë, që rrezikohej të kalonin pa u ndëshkuar, dhe pas kësaj erdhi koronavirusi me 40 milionë vende pune të humbura dhe mbi njëqind mijë të vdekur. Pasojat bien mbi më të dobëtit: nëse Covid do të kishte goditur të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë në të njëjtën masë sot, do të kishte 13 000 më shumë afrikano-amerikanë të gjallë.

Për vite me radhë është shkruar për vdekjen e ëndrrës amerikane dhe rreziqet që lidhen me bllokimin e ashensorëve socialë. Dukeshin si formula sociologjike, por tani kanë fituar një saktësi tragjike. Dhe askush nuk e di se çfarë të bëjë. Në të kaluarën, tensionet racore janë lehtësuar nga udhëheqësit e besueshëm dhe karizmatikë, të cilët ishin në gjendje të kanalizonin protestën në lëvizje të tilla si ato për të drejtat civile. Sot gjithçka është jashtëzakonisht më e komplikuar për arsye të ndryshme: nuk ka më  udhëheqës të mëdhenj karizmatikë dhe personalitete që akoma kanë një trashëgimi të besueshmërisë (ku është Obama?) e kanë të vështirë t’ua shpërndajën njerëzve të zhgënjyer për dekada të tëra premtimesh të pambajtura. Nuk ka më as lëvizje të mëdha të afta për të kanalizuar protestën në epokën dixhitale të fragmentarizimit dhe shumëzimit të grupeve ekstremiste me origjinë pak a shumë transparente, regjisorë të guerileve urbane aq të përhapura sa që e bëjnë të vështirë dallimin midis protestave spontane dhe celulave të organizuara kryengritëse.

Të qetësosh shpirtrat në këto kushte, është shumë e vështirë.

Donald Trump as nuk po e bën këtë provë. Përkundrazi, ai preferon të luajë shkrepësesh: ai paralajmëron demonstruesit se nëse përpiqen të arrijnë në Shtëpinë e Bardhë, do të bëhen copash nga qentë, fton policinë e Minneapolis të qëllojë mbi grabitësit dhe, kur kryetari i bashkisë përpiqet të shmangë përplasjet e përgjakshme, ai i kthehet me përbuzje “mos i ngjaj gjeneralit MacArthur ose gjeneralit Patton”. Si gjithmonë, një drejtues i cili për afrikano-amerikanët është mishërimi i reagimit të të bardhëve të Amerikës ndaj presidencës së Obamës, kërkon konfrontim, besnik ndaj një ADN-je që preferon konfliktin para dialogut. E bëri këtë edhe me një postim në Tuiter, me të cilin ngjan se fton mbështetësit e sloganit të tij, “Amerika e para”, për të kundërshtuar demonstratat e së majtës rebele, përpara Shtëpisë së Bardhë. A do të arrihet te nxjerrja e tankeve? Tani për tani, shifrat thonë se në të paktën 13 shtete, politika ia ka lënë dhënë vendin Gardës Kombëtare. / Corriere della Sera