Amnesty International i ka bërë thirrje Përfaqësuesit Special të OKB-së në Kosovë të bindë misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, të kërkojë ndjesë për “dështimin në mbrojtjen e jetëve të Mon Balaj dhe Arben Xheladinit dhe t’u sigurojë ankuesve dëmshpërblim të plotë për dëmin e shkaktuar”.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, Amnesty tha se misioni i OKB-së duhet “të ndërmarrë hapa të mëtejshëme për të siguruar që autorët e krimeve të nxirren para drejtësisë.”
Balaj dhe Xheladini u vranë më 10 shkurt të vitit 2007, gjatë një demonstrate të organizuar nga Partia Vetëvendosja e opozitës pasi policia rumune që shërbente në Misionin e Përkohshëm të OKB-së në Kosovë, UNMIK, qëlloi me plumba gome. Të tjerë u plagosën rëndë.
Një hetim i brendshëm i UNMIK-ut në vitin 2007 përcaktoi se burrat ishin vrarë nga plumbat e vjetër prej gome – goma ishte shpërbërë duke nxjerrë topin prej metali që ishte nën të – të cilët u qëlluan te demonstruesit nga disa skuadra të policisë rumune.
Familjeve të Balajt dhe Xheladinit, së bashku me dy burra të tjerë të lënduar, u ofruan fillimisht kompensim në lidhje me dëmeve materiale nëpërmjet një procedure të brendshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2009.
Por nuk i është ofruar asnjë formë tjetër shpërblimi të mbijetuarve dhe familjeve të të ndjerëve dhe asnjë hetim penal i pavarur për vrasjet nuk është hapur në Kosovë, tha Amnesty.
Një hetim nga një prokuror ushtarak në Rumani u mbyll në vitin 2009 pa identifikuar autorët e krimit.
Të afërm të Balajt dhe Xheladinit, si edhe të dy personave që u lënduan gjatë protestës, atëherë u ankuan te Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut, themeluar në vitin 2006 për të shqyrtuar ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut nga UNMIK.
Në mars 2015, Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut tha se UNMIK nuk kishte arritur të mbronte të drejtën e jetës të viktimave sipas Nenit 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ECHR, si në vdekjet ashtu edhe në lëndimet, dhe nuk arriti të kryente një hetim efikas për këto ngjarje.
Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut zbuloi gjithashtu se misioni i OKB-së kishte shkelur të drejtë për tubim paqësor, sipas nenit 11 të PNKDNJ, duke përfunduar se forca e përdorur nga policia për të shpërndarë demonstratën nuk ishte absolutisht e nevojshme dhe se nuk kishte prova për të sugjeruar se ndonjë nga katër burrat ishte i përfshirë në ndonjë akt të dhunshëm.
Amnesty International në vitin 2015 i kërkoi Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të zbatonte rekomandimet e bëra në Opinionin e PKDNJ dhe të ndërmerrte hapa të mëtejshme për të siguruar që autorët e krimit të nxirren para drejtësisë.
“Amnesty International shpreh keqardhje që gati dy vjet që kur PKDNJ ka nxjerrë rekomandimet e tij, UNMIK nuk ka bërë publik ndonjë vendim apo të ketë nxjerrë ndonjë informacion në lidhje me progresin e bërë në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të Panelit,” thuhet në dekoratë, duke shtuar se UNMIK duhet të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e bëra në mars të vitit 2015 nga ana e PKDNJ.
Vitin e kaluar, PKDNJ në një tjetër raport tepër kritik tha se misioni OKB-së nuk kishte përmbushur rekomandimet e tij dhe për këtë arsye kishte shkelur të drejtat e njeriut.
Raporti prej 49 faqesh thoshte se për shkak se UNMIK-u ka dështuar të ndjekë rekomandimet e Panelit, “procesi ka marrë asnjë dëmshpërblim për ankuesit”.
“Si të tillë, ata janë viktimizuar dy herë nga UNMIK-u: nga shkeljet e para të të drejtave të njeriut të kryera kundër tyre dhe përsëri duke vendosur shpresën dhe besimin e tyre në këtë proces,” tha ai.
Raporti pranoi se përpjekjet e Panelit për ta bërë UNMIK-un të veprojë në përputhje me vendimet e tij “ka qenë një dështim i plotë”.
UNMIK u themelua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1999 “për të ndihmuar në sigurimin e kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës si edhe për stabilitet rajonal në Ballkanin Perëndimor,” sipas mandatit të tij.