Vitet e fundit politika fiskale e vendit veç ndryshimeve të shpeshta ligjore, është gjendur para togfjalëshave “amnisti fiskale” dhe “falje e gjobave”. Kaq të zakonshme janë kthyer këto fjalë, saqë tani sipërmarrja pret afrimin e zgjedhjeve që të “falet” apo të “amnistohet”.
Kështu duket se po ndodh dhe këtë vit. Pas një konsultimi prej më shumë se gjashtë muajsh me ministritë e linjës, Ministria e Financave tashmë ka çuar në Kuvend një amnisti për biznesin, me argumentin që kjo do të sjellë çlirim për ta dhe një mundësi për të fshirë detyrime të kaluara.
Por një pjesë e sipërmarrësve e kanë kundërshtuar këtë nismë, pasi sipas tyre biznesi i ndershëm, ai që paguan gjithmonë penalizohet dhe nuk është konkurrent i barabartë në treg. Mbetet një proces për t’u parë se si do të funksionojë dhe a do të vendosë në të vërtetë pas kësaj “rregulla të barabarta” në treg.
Falja e borxheve, buxheti i shtetit mund të arkëtojë 35 miliardë lekë
Veç amnistisë për detyrimet e krijuara para vitit 2010, pasi konsiderohen borxhe të pambledhshme, draft ligji i ri për faljen e detyrimeve parashikon dhe falje të borxheve të gjobave dhe interesave të krijuara pas këtij viti.
Me këtë të fundit buxheti i shtetit mund të arkëtojë 35 miliardë leke këtë vit, nëse bizneset do të shfrytëzojnë plotësisht ligjin e faljes e borxheve. Llogaritë janë bërë publike nga vetë Ministria e Financave. Sipas draftit të miratuar nga qeveria, bizneseve debitore ndaj shtetit u falen gjobat dhe interesat për borxhet e periudhës 2011-2014, por me kushtin që ato të shlyejnë të plotë detyrimin tatimor.
Në relacionin shoqërues të projektligjit, zbulohet se në total borxhi i kësaj periudhe që biznesi ka ndaj tatimeve dhe doganave llogaritet në rreth 96 miliardë lekë. Por, nga kjo shifër, detyrimi fillestar është vetëm 35 miliardë lekë, ndërsa pjesa dërrmuese janë gjoba dhe interesa që shteti ka aplikuar mbi biznesin për mospagesën në kohë të këtyre detyrimeve.
Sipas relacionit të ligjit, këto gjoba dhe kamatëvonesa llogariten në mbi 61 miliardë lekë, pra gati dy herë më shumë sesa vetë detyrimi. Në draftin e ri, qeveria ka vendosur faljen plotësisht të gjobave dhe interesave, nëse biznesi paguan detyrimin fillestar, pra atë prej 35 miliardë lekë. Por, a do e shlyejë biznesi këtë detyrim për të përfituar nga falja e penaliteteve?
Apo dhe këtë radhë do presin për ndonjë amnisti tjetër, duke pretenduar dhe falje të detyrimeve. E sigurtë është se ligji i faljes tashmë ka mbërritur në Parlament dhe do të miratohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Çfarë parashikon ligji i faljes
Ligji fal plotësisht borxhet para vitit 2010, ndërkohë që i jep mundësi biznesit të përfitojë faljen e gjobave dhe kamatave nëse paguan detyrimin për borxhet nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014.
“Është një draft-ligj i punuar me shumë kujdes. Kemi marrë opinione nga sipërmarrja e kemi konsistuar me FMN, kemi prekur ndjeshmëritë e sa e sa viteve”, deklaroi lidhur me këtë para kreu i financave shqiptare. Sipas Ahmetajt kjo masë do të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, e cila siç tha ai tashmë është rikthyer në krye të rajonit.
“Këtë vit i kemi të gjitha mundësitë në referencë të studimeve të FMN që të jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon dhe i dytë në vendet ish komuniste bashkë me Rumaninë”, u shpreh para pak ditësh Ministri i Financave.