Nga Leonard Karaj
Partia Demokratike është në ditët më të vështira që nga themelimi i saj në dhjetorin e 1990-ës. As në 1997-ën kur nuk arriti të merrte pjesë në zgjedhje në thuajse gjithë jugun e Shqipërisë, ky formacion politik nuk ka qenë kaq i përçarë dhe i pasigurtë në rrugëtimin e vet drejt pushtetit. Përplasja mes Berishës dhe Bashës, pa asnjë kufi (të paktën moral), nga njëra anë po zgjon vërtet frymën e debatit, e cila kishte vdekur prej vitesh për shkak të mënyrë së sundimit nga lidershipi i saj, por nga ana tjetër, po krijon një hendek të jashtëzakonshëm mes anëtarësisë.
Cilado palë (ata që mbështesin Berishën apo ata të Bashës), që do dalë i fituar nga kjo përplasje, do ta ketë tejet të vështirë për të bashkuar më këtë parti, kjo për shkak të mënyrës sesi është gatuar drejtimi i saj. Që në nisjen e parë të fushatës, përkrahësit e Berishës nuk u kursyen aspak të denigronin me fjalorin më të ulët Bashën, aq sa e vunë në një karrige me Ramën. Një frymë berishiste që dëmton jo thjesht kryetarin në detyrë, por më së shumti PD-në, pasi me mentalitetin dhe qasjen që ka treguar deri tani Basha, zor se këta mbështetës “do të falen”.
Sigurisht, Basha tregoi mendjeshkurtësi dhe miopi për “guinness” me figura si Agron Shehaj, Bardh Kadilli, Edit Harxhi etj, të cilët vetëm se i dolën përballë në kandidim, sot janë jashtë çdo strukture të kësaj partie. Një lider normal (për të mos folur për një lider europian), një lider që shikon të ardhmen e partisë së tij dhe nuk mundohet të gjejë “armiqtë e brendshëm”, minimalisht do t’i kishte ftuar në forumet e partisë për të treguar anëtarësisë se kjo forcë pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, pavarësisht debatit dhe kundërshtive (që vetëm debat në fakt nuk ka pasur), është e bashkuar me një qëllim të vetëm: rrëzimin e Ramës. Nuk e bëri. Madje e ka bërë thuajse kurrë një gjë të tillë Lulzim Basha, duke u munduar gjatë gjithë këtyre 8 viteve më shumë sesi të mbajë kolltukun e kryetarit sesa si të mundë kundërshtarin e tij politik. Tani imagjinoni pak se çfarë qasje do ketë Basha ndaj mbështetësve të ish-kryetarit dhe ish-mentorit të tij, nëse do ta fitojë këtë përplasje klanesh në PD(!!)
Është fakt se Lulzim Basha si kryetar dhe PD si formacion politik kanë pasur vetëm shanse hipotetike për “ta shpëtuar” Sali Berishën nga mësymja amerikane. Pasi në kushtet reale ku ndodhet sot Shqipëria është hipokrite të thuash se meqë jemi teorikisht vend sovran, nuk do duhet të pyesim askënd, përfshi këtu edhe SHBA-në, kur këta të fundit ndërhyjnë (madje edhe dhunshëm), deri në mënyrën e organizimit të partive tona politike. Nuk ndodh. Ndaj është e kotë të bëhemi sovranistë fanatikë ose më katolikë sesa Papa.
Nëse Shqipëria, prej vitesh tashmë i ka dorëzuar sigurinë e vet te NATO-s (indirekt amerikanëve, përderisa janë fuqia kryesore e kësaj organizate mbarëbotërore); nëse kërkojmë asistencë si në fushën e ndërtimit të sistemit gjyqësor por edhe atij politik; nëse jemi gjithnjë me dorën shtrirë për fonde; do ishte naive që të pretendonim që indirekt apo jo, përfaqësuesja e ambasadës te Rruga e Elbasanit të mos sillej hera-herës edhe si guvernatorë.
Ndaj e vetmja mundësi hipotetike, por jo e parealizueshme (por që nuk e konsideron thuajse asnjë politikan shqiptar që moralin e ka pikën e fundit në listën karakteriale të tij), ishte që Basha të jepte dorëheqjen si kryetar i partisë dhe PD-ja të shkonte sërish në zgjedhje për të legjitimuar një drejtues pro apo kundër SHBA-ve.
E bëri para një viti Albin Kurti në Kosovë, kur nuk pati as kompleksin më të vogël që ti dilte kundër planit amerikan (sipas tij), për shkëmbime territoresh. Kurti dha dorëheqjen si kryeministër dhe u rikthye në zgjedhjet e radhës, po në të njëjtin post, por tashmë me një legjitimitet popullor. Në këto kushte edhe Amerika “u dorëzua”. Nuk ndodhi kjo gjë te PD-ja, dhe nuk do bënte përjashtim as Lulzim Basha, pasi në 99% të rasteve në formacionet tona politike, kryetarët thuajse e privatizojnë postin e tyre. Këtë gjë pat bërë Berisha dikur, identik po sillet Basha tanimë. Ndaj në këtë pikë të akuzosh kryetarin tënd se ka larguar shumë politikanë nga PD-ja duke u ndërprerë kësisoj atyre karrierën politike, kur këtë gjë e ke bërë vetë për vite me radhë, të deligjitimon të paktën moralisht.
Të mos harrojmë se ishte Berisha që në më shumë se dy dekada 1990-2013 eliminoi çdo zë kundër në parti. Të gjithë ata që nuk i shërbenin atij, ishin armiq, tradhëtarë, të korruptuar, të shitur, dhe vetëm Ai ishte më i pastri, më i ndershmi, më i miri, më i pagabueshmi. Të tjerët sa hap ë mbyll sytë bëheshin të degjeneruar, komunistë, spiunë, etj (kujto shumë figura në PD, që nga Azem Hajdari, Arben Imami, Gramoz Pashko, Genc Pollo, Uran Butka, Ylli Vejsiu, Mark Marku, etj, etj). Në këtë linjë vijoi pak a shumë edhe Lulzim Basha, pas 2013-ës.
Dhe Berisha nuk bëzani. Nuk foli kur u zbua nga partia, Topalli, Patozi, Ristani, Kadilli, Harxhi, Kulluri, Imami, Mustafaj, Bregu, etj. Nuk foli as kur partia me Bashën në krye humbi 5 herë radhazi në zgjedhje. Nuk foli as kur u dogjën mandate dhe as kur PD-ja nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore. Nuk foli, sepse deri para pak ditësh Basha i shërbeu qetësisht ish-mentorit të tij dhe familjes. Dhe kur amerikanët e detyruan që të bëhej të paktën një herë lider, upppsss, Basha na u bë i padëshiruar, tradhëtar, besëprerë, madje më keq akoma, në një “krevat me Ramën”. Po a nuk ishte po ky Berishë që marrëveshjen Rama-Basha të 17 majit 2017 e konsideroi si një “win-win story”, duke e bekuar totalisht me zë e figurë në parlament(!?)
Me çfarë morali sot, Berisha lëshon batare ndaj Bashës, kur dihet botërisht se ky i fundit ka qenë “i përkëdheluri” i tij. Që prej 2005-ës kur Basha erdhi në PD, asnjë politikan nuk e ka pasur mbështetjen pa rezerva dhe “rrugën e hapur”, nga Berisha më shumë sesa Lulzim Basha: ministër i Infrastrukturës, ministër i jashtëm, ministër i brendshëm, kryetar bashkie dhe më pas “iu dha” edhe partinë.
Në këto kushte, me këtë amoralitet politik që Basha po drejton PD-në dhe me këtë frymë mbytëse berishiste që vijon ende në korridoret e kësaj partie, do jetë shumë e largët dita kur ky formacion politik të vijë në pushtet. Ndaj plani i Ramës për “Shqipëria 2030”, duket se do gjejë zbatim jo për shkak të vizionit të kryeministrit, i cili edhe pse ka drejtuar një nga qeveritë (2017-2021), më të korruptuara në këto 3 dekada, vijon të jetë në të njëjtin post (natyrisht dhe ekskluzivisht për shkak të një PD-je në agoni), por për faktin se dyshja Basha-Berisha, më shumë sesa për të ardhmen e partisë po merren me interesat e tyre të ngushta personale ose familjare. Në fund, ata që humbin janë vetëm demokratët…