Aktualitet AMP dhe Forcat Operacionale aksion në një “Beach Bar” në Sarandë, në...

AMP dhe Forcat Operacionale aksion në një “Beach Bar” në Sarandë, në pranga polici që shiste kanabis tek turistët

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Forcat e Posaçme Operacionale zhvilluan një aksion në një lokal veror në Sarandë ku arrestuan një punonjës policie dhe bashkëpunëtorin e tij të cilët shisnin lëndë narkotike tek turistët.

Në pranga ka rënë punonjësi i policisë R.B., efektiv në Komisariatin e Policisë Kufitare të Sarandës, si dhe bashkëpunëtori S.V.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytezuar një lokal ‘Beach Bar’ në qytetin e Sarandës për të kamufluar veprimtarinë antiligjore, shpërndanin kanabis tek turistët duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu në ambientet e lokalit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri e llojit pistoletë së bashku me municion, pa leje.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua një sasi lënde narkotike rreth 100 doza, një armë zjarri e tipit TT pa leje, dy aparate celulare, një automjet dhe një shumë monetare prej 555 euro, 20 pound dhe 20.000 lek.

Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.