Amsterdami, qyteti i Van Gogut, Rembrandit, tulipanëve, kanaleve, Ajaksit… por jo vetëm.
Në imagjinatën e pothuajse 20 milionë turistëve që çdo vit vizitojnë të paktën një natë kryeqytetin holandez, veçanërisht për ato të rinj, nuk mund të mohohet se “lagjja me drita të kuqe” dhe “kafenetë” ku shërbehet në mënyrë të lira kanabisi, janë dy nga atraksionet më ndjellëse.
Sot Amsterdami nuk mirëpret turistë, për shkak të masave strikte mbi parandalimin e pandemisë, në një vend që ka regjistruar pothuajse 900 mijë të infektuar dhe 13 mijë viktima.
Por kur rikthimi në normalitet do të jetë një realitet, turistët do të gjejnë një qytet të ndryshuar, të paktën për aktivitetet që ofron.
Kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, ka propozuar një politikë të re për ato që njihen si “coffee shop”, që synon uljen e turistëve që targetojnë konsumimin e drogës.
Konsumimi i kanabisit në ato kafene mendohet të jetë i dedikuar vetëm për rezidentët, por kufizime do të ketë edhe për vetë këto biznese, që nuk mund të shndërrohen në franshizë. Një propozim i tillë u bë edhe në 2011, por në atë kohë u refuzua, por tashmë mund të ketë sukses.
Vitet e fundit, banorët e kryeqytetit denoncojnë rritjen e kriminalitetit dhe të shpërndarjes marramendëse të drogave të forta, ndërkohë që periudha e karantinës dhe, si pasojë, mungesa e turistëve, nga një anë i ka vënë në vështirësi, por nga tjetra ka bërë të mundur që ata të ndihen sërish të “zotët e qytetit”.
Në një nga anketimet e fundit, më shumë se 50% të përgjigjeve vlerësonte se mundësia e konsumimit të kanabisit në 166 kafenetë e regjistruara në qytet, ishte arsyeja kryesore e udhëtimit për në Amsterdam. Ndërkohë, 72% pohuan se do ta vizitonin njërin prej tyre, kurse vetëm 1% pranonte se arsyeja kryesore e udhëtimit ishin vitrinat me pullë të kuqe, ku ndodhen prostitutat.
Sipas autoriteteve holandeze, vendimi nuk do të penalizojë gjithsesi turizmin, që sipas tyre është më i tërhequr nga muzetë dhe shëtitjet nëpër kanalet karakteristike.