Shtatë vite më vonë, Bayern Munich mbretëron në Europë. Dhe e bëri këtë në një nga sezonet më konvulsive që mbahen mend në klubin bavarez. Në fakt, edhe lidershipi i tij në Gjermani ishte në pikëpyetje, sepse ndryshoi trajnerin në mes të sezonit dhe për shkak se shumë nga lojtarët ngrinin më shumë dyshime sesa jepnin siguri. Por, Bayerni është historia gjermane dhe europiane e futbollit, ndaj diti t’i kapërcente të gjitha këto pengesa, për të ofruar një recital futbolli në Lisbonë, derisa ngriti trofeun e gjashtë të madh europian. Një sukses i merituar, që shpjegohet nga disa faktorë. Këto janë çelësat e kampionit të ri të Europës:
Ndryshimi i trajnerit
Hans-Dieter Flick është arkitekti i shkëlqyeshëm i një ndryshimi vendimtar, që Bayerni ta përfundonte me një “hat-trick” të patëmetë këtë sezon. Trajneri gjerman arriti në javën e 11-të të Bundesligës për të marrë përsipër rolin e të shkarkuarit Niko Kovac. Aftësia e tij për të ndryshuar “vizatimin” e formacionit, spostimi i Kimmich në mesfushë, rilindja e Muller në funksion të kauzës bavareze, janë disa nga virtytet, që i atribuohen atij. Pak ose fare mund të kritikohet një trajner si ai, që ka rikuperuar Bayernin më të mirë në kohët e fundit. Sepse fiton, por edhe bind me lojë.
Rilindja e veteranëve
Nuk është rastësi që Bayerni ka mbretëruar në Europë në të njëjtin vit, kur disa prej “peshave të rënda” kanë rikuperuar versionin e tyre më të mirë. Manuel Neuer, më i miri, u shfaq shpëtimtar, me disa pritje vendimtare në finale. Pikërisht kur hegjemonia e tij në kombëtaren e Gjermanisë po vihej në pyetje, në favor të Ter Stegen, ai shpërtheu, edhe pse me mjaft vite mbi supe. Thomas Müller u bë sërish konkurrues, me gola vendimtarë. Të mos flasim për Robert Lewandowski, autor i 15 golave në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Pra, trajneri Flick i rilindi veteranët dhe i bëri një nga çelësat e shkëlqyeshëm të suksesit të jashtëzakonshëm sezonal.
“Thellësia” e stolit
Finalja u fitua nga Kingsley Coman. Trajneri Flick e aktivizoi titullar francezin kundër PSG, ndërsa kishte përdorur Perisic në sfidat e tjera të “Final Eight”, në Lisbonë, për atë rol. Pavarësisht se ishte një nga më të mirët kundër Barçës, kroati e nisi finalen nga pankina. Skuadra gjermane bëri edhe pa Pavard, madje nuk pyeti as për lëndimin e Boateng në mes të ndeshjes vendimtare, sepse ata që erdhën nga stoli nuk lanë asgjë mangut. Fitimi i Champions-it, pra, është edhe meritë e stolit bavarez, që ka shumë potencial jo vetëm në kuadrin e Bundesligës, por edhe të Europës.
Bayerni me gjak të ri
Bayerni ka filluar një proces gradual rinovimi, që tashmë po fillon të japë fryte. Ardhja e lojtarëve si Davies, Goretzka, Gnabry… në sezonet e fundit ka lejuar që të rinjtë të kombinohen me veteranët. Ky proces ka rezultuar i suksesshëm, sepse përvoja tregon rrugën për t’u ndjekur, ndërsa emrat e rinj po fitojnë rëndësi pa presionin e parakohshëm të mbajtjes së krejt peshës mbi supe.
Gjendja fizike
Duke parë shtypjen (presionin) e Bayernit në zonën e PSG-së në minutën e 80-të të lojës me pothuajse të njëjtin intensitet si në minutën e pare, kjo tregon fuqinë fizike të bavarezëve. Kjo i ka lejuar Bayernit të diktojë lojën në mënyrë dërrmuese. Ai presioni paraprak e nderoi ndaj Barçës, ndërsa e kundër skuadrës pariziene, në finale, dominoi nga fillimi deri në fund. Asnjë skuadër nuk ka arritur me një formë të ngjashme fizike si skuadra gjermane në Lisbonë. Historia shkon gjithmonë në favor të atyre që vrapojnë shumë në futboll.