Sport Figo: Nuk do të ndodhë si me mua, askush nuk e paguan...

Figo: Nuk do të ndodhë si me mua, askush nuk e paguan dot klauzolën e Messit

Luis Figo u largua me sherr të madh, por pasi kishte bërë famë, nga Barcelona te Real Madridi në vitin 2000. Tashmë, portugezi thotë se do të ishte e pamundur për Lionel Messi të bëjë të njëjtën gjë si ai, 20 vite më vonë. Spekulimet janë nga më të ndryshmet mbi yllin argjentinas, kur flitet për një largim të mundshëm nga “Camp Nou”. Sezoni bosh i Barçës (2019-2020), shoqëruar humbjen poshtëruese 8-2 ndaj Bayern Munich në Champions, e kanë mërzitur pa masë gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”.

33-vjeçari nuk ka pranuar ende ta rinovojë kontratën përtej verës së vitit 2021, me bisedimet që kanë mbetur pezull. Në mesin e kësaj pasigurie, po përflitet se PSG, Inter dhe Manchester City mund të bëjnë oferta të guximshme për ta rrëmbyer Messin nga “kthetrat” e Blaugrana-ve. Luis Figo nuk sheh askënd, që mund të gjenerojë fondet e kërkuara për të paguar klauzolën e argjentinasit, sidomos në këtë periudhë të madhe krize prej koronavirusit.

“Do të jetë e pamundur për çdo klub të paguajë klauzolën e lirimit të Messit këtë vit. Nuk ka shumë lëvizje në tregun e transferimeve për momentin. Unë mendoj se është shumë e vështirë apo edhe e pamundur që çdo klub të jetë në gjendje të paguajë klauzolën dhe kontratën e Messit. Është e pamundur të shohim ndonjë gjë të ngjashme me atë që ndodhi me mua 20 vite më parë”, tha Figo.

Messi ende nuk ka folur për të ardhmen e tij në publik, por thuhet se ka zhvilluar bisedime me trajnerin e ri të Barcelonës, Ronald Koeman. Ai duhet të jetë i bindur që Barcelona mbetet klubi i duhur për të, sipas ish-shokut të skuadrës, Deco: “Ne po flasim për lojtarin më të mirë në historinë e klubit. Familja e tij është e lidhur me qytetin. Nuk është e lehtë të largohet nga Barcelona, por duket qartë se ai dëshiron të vazhdojë të fitojë. Ne nuk mund ta imagjinojmë një Barça pa Leo, por mund të ndodhë”.