Në vitet e shkuara, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe qeveria e tij kanë marrë kontrollin e gjyqësorit dhe kanë penguar shtypin, duke bërë që demokracia turke të mbetet vetëm te kutia e votimit. Dhe kutia e votimit goditi në zgjedhjet vendore të 31 marsit. Edhe pse fitoi shumicën në shkallë kombi, partia e Erdoganit pësoi humbje të ndjeshme në pesë nga gjashtë qytetet e mëdha, përfshirë Stambollin, motorin ekonomik, dhe kryeqytetin, Ankaranë.
Humbjen e Stambollit do ta ketë ndier më shumë, pasi Erdogani e nisi aty karrierën e tij politike, më shumë se 20 vite më parë. Kandidati i partisë së tij për kryetar bashkie, një ish kryeministër dhe ish kryetar parlamenti, Binali Jildirim, pati mbështetjen e mediave më të fuqishme, që janë pro-qeveritare; pati mbështetjen e pandalshme të makinerisë zgjedhore të partisë së tij, si dhe mbështetjen e presidentit Erdogan, i cili e mbrojti me aq shumë forcë kandidatin e zgjedhur, sa dukej sikur po luante për karrierën e vet. Kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu, pati mbështetjen e një partie të paqëndrueshme të opozitës, vetëm pak nga burimet e kundërshtarit për të bërë fushatë, dhe vetëm pak vite përvojë si kryetar bashkie. Por ky kandidat pothuajse i panjohur ka shkaktuar një nga përmbysjet më të mëdha në historinë zgjedhore të Turqisë, dhe ka fituar me pak vota diferencë.
Rastet e dhunës dhe debatet kanë hedhur hije dyshimi mbi votën. Menjëherë pasi u njoftua që kandidati i opozitës ishte përpara me vota, agjencia shtetërore e lajmeve ndaloi së raportuari rezultatet e garës, duke i qëndruar besnike qeverisë. Më pas, të dy kandidatët shpallën fitore. Ditën e nesërme, kur rezultatet treguan se Imamoglu ishte rreth 30 mijë vota përpara dhe mbeteshin gati 10 kuti pa numëruar, në disa qendra votimi pati përplasje fizike.
Ndërsa në zona të tjera të vendit, dhuna mori përmasa vdekjeprurëse. Dy veta u vranë në Malatja, dy në Gaziantep, në jug të vendit. Pjesëmarrja në votime ishte 85%.
Erdogani arriti të shpallë fitoren, meqenëse partia e tij, me ndihmën e aleatëve nacionalistë, fitoi në shumicën e 81 provincave, duke mbledhur 52% të votës popullore. Partia kryesore e opozitës, e drejtuar nga Partia Popullore Republikane, mori 38%. Erdogani deklaroi se partia e tij kishte dalë si forca e parë politike në vend, por pranoi që kishin pasur rënie të votuesve në qytetet e mëdha. Ai premtoi të marrë masa për të ndrequr ekonominë, e cila ka nisur recesionin, dhe se do t’i bindet rregullave të tregut të lirë. Por tregjet e lira nuk fituan siguri nga kjo. Lira turke humbi 2% të vlerës ndaj dollarit këtë të hënë, duke shënuar javën më të keqe që nga kriza e verës që shkoi. Bizneseve nuk u është larguar ende frika se mund të sakrifikohet rendi ekonomik për hir të përfitimeve politike.
Por humbja e këtyre zgjedhjeve nuk është aspak goditje e rëndë për Erdoganin dhe partinë e tij. Presidenti turk vazhdon të ketë një kushtetutë që i jep fuqi të mëdha. Partia e tij, Drejtësi dhe Zhvillim, vazhdon të ketë shumicën në parlament, me ndihmën e nacionalistëve. Megjithatë, humbjet në qytetet e mëdha e kanë lënduar nga pikëpamja simbolike dhe ajo praktike. Bashkitë luajnë rol kyç në rrjetet e klientelës. Po ashtu, kryebashkiakët opozitarë mund të zbulojnë skandale. Politikisht, rezultati e vendos Erdoganin në pozitë të vështirë, pasi do të ndodhet midis votës së kurdëve, të cilët votuan për opozitën, dhe votës së nacionalistëve. Çdo përpjekje për të ndërmarrë bisedime paqeje me PKK-në, (Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, një grup i armatosur separatist, i shpallur i paligjshëm), mund të sjellë ndërprerjen e aleancës me nacionalistët. Një akademik te Universiteti Bilgi, Emre Erdogan (nuk ka lidhje me presidentin, pavarësisht mbiemrit), thotë që partitë nacionaliste kanë fuqinë për të shpërbërë parlamentin dhe ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, kurdo që ta shohin të arsyeshme. Kjo e bën shumë të vështirë bashkëpunimin me kurdët.
Për sa i përket stabilitetit të vendit, shqetësimi më i madh është nëse Erdogani do ta mbajë fjalën e të përzërë disa nga kundërshtarët e tij, që nga Mansur Javas, që fitoi garën në Ankara, dhe kryetarët e bashkive të Partisë Popullore Demokratike, e cila fitoi më shumë në zonën kurde, në jug-lindje. Para zgjedhjeve, ministri i brendshëm i Erdoganit pati deklaruar se 231 kandidatë të opozitës po hetoheshin për terrorizëm. Prokurorët nisën një hetim ndaj Javasit, në bazë të deklaratave të vjetra që e lidhnin me një çek të falsifikuar. Këto kërcënime nuk merren lehtë në Turqi, pasi në zgjedhjet e mëparshme vendore, në jug-lindje u votuan 102 kryebashkiakë nga Partia Popullore Demokratike. Por 94 prej tyre u shkarkuan dhe u arrestuan, me akuza bashkëpunimi me PKK, dhe u zëvendësuan nga njerëz të besuar të qeverisë.