Nga Jeremy Bowen – BBC News, Kiev
Në një mbledhje në dhomën e tyre të luftës të hënën, dy gjeneralë ukrainas që janë përgjegjës për mbrojtjen e Kievitm i thanë BBC-se se si ushtria e tyre po lufton fort për të mbajtur artilerinë ruse jashtë dhe shpjeguan pse ata besojnë se qytetit e ka fuqinë e nevojshme që do të bëjë të gjithë ndryshimin kundër rusëve.
Kievi po e ndjen edhe më afër frymën e luftës duke parë fuqinë shkatërruese të zjarrit rus.
Një bllok apartamentesh 9-katëshe u godit nga një raketë ruse të hënën në mëngjes, duke vrarë të paktën 1 person dhe shkatërruar ndërtesën dhe duke lënë dhjetëra të pastrehë. Do të kishte qenë më keq nëse shumë banorë nuk do të ishin dërguar më parë në streha kundër bombave.
Por qendra e Kievit dhe shumë prej periferive të tij janë ende të paprekura nga granatat ruse. Qytetet e tjera të Ukrainës janë duke u bombarduar shumë rëndë dhe ka pasur shumë viktima.
Qytetarët e mbetur të Kievit (gjysma e tyre janë zhvendosur në Ukrainën perëndimore ose janë larguar nga vendi) po përballen me mundësinë që të shohin të njëjtën përvojë brutale.
Lumenjtë dhe moçalet po ndihmojnë në mbrojtje
Gjeneralët përgjegjës për mbrojtjen e Kievit thanë se po luftonin fort për të mbajtur artilerinë ruse jashtë rrezes, por pranuan se kryeqyteti ishte i arritshëm nga raketat.
Sidoqoftë, topografia dhe terreni i qytetit thonë se janë në anën e tyre. Qyteti është i madh dhe i përhapur. Ai është ndarë nga lumenj, jo vetëm nga Dnieperi i fuqishëm që ndan Kievin në dysh, por edhe degët e tij.
“Është e vështirë të mbrohesh nga disa anë njëkohësisht duke qenë se është shumë i madh. Por nga ana tjetër, ky lumë është një plus. Lumenjtë dhe urat janë në ndihmë të qytetit. Trupat tona po ndërtojnë mbrojtje dhe fortifikime. Përreth qytetit ka shumë lumenj të vegjël që derdhen në Dnieper dhe ka shumë moçalore torfe, kështu që zona nuk është e përshtatshme për lëvizje në shkallë të gjerë të trupave”, thotë gjenerali Andriy Kryschenko.
Ai është gjithashtu nënkryetar i bashkisë ndaj kishte veshur të njëjtin lloj veshjeje joformale në të gjelbër ushtarake që mban edhe presidenti i tij Volodymyr Zelensky. Gjenerali mbështet gjithashtu optimizmin e presidentit.
Një avantazh tjetër, sipas gjeneralit, është se Kievi është një qytet industrial, me punishte dhe fabrika që janë vënë në punë për të prodhuar artikujt e nevojshëm për fortifikime – blloqe betoni, thasë rëre dhe një sërë pengesash antitank.
Gjeneralët shpjegojnë se kishin sulmuar dhe ndaluar lëvizjen e forcave të mëdha ruse, një nga lindja dhe një nga veriperëndimi, që përfshin edhe kolonën e shumëpërfolur rreth 64 km të armatës ruse.
Ata thanë se kjo kolonë ishte sulmuar dhe detyruar të shpërndahej dhe këmbëngulin se për momentin nuk është më një kërcënim.
Urat strategjike të hedhura në erë
Veriperëndimi është ende fokusi kryesor i rusëve. Gjenerali Sergiy Knyazev vë në dukje këmbësorinë ruse.
Ai tregon se kanë vendosur një forcë të mirëorganizuar dhe të armatosur mirë, e cila ka hedhur në erë ura strategjike për të penguar kalimin e trupave armike.
“Këto janë ultësira të tilla moçalore dhe nuk mund t’i kalojnë. Nëse nuk do të kishte ushtarë ukrainas, ata thjesht do të hidhnin një kalim ponton mbi lumë. Por ne jemi atje dhe po i shkatërrojmë”, tha ai.
Teksa po flisnin për gazetarin e BBC shpërtheu një tjetër raketë jo shumë larg nga e para. Zhurma e shpërthimit dëgjohej qartë edhe në dhomën e luftës.
“Dëgjo. Ishte mbrojtja jonë ajrore që rrëzoi një tjetër”, tha një oficer i ri.
Suksesi ushtarak ukrainas ka befasuar miqtë dhe armiqtë e tyre. Presidenti dhe komandantët e tij janë më se të kënaqur me performancën e ushtrisë së tyre dhe mijëra vullnetarëve.
Por megjithatë rusët nuk kanë treguar ende asgjë nga fuqia e tyre e plotë ndaj kryeqytetit.