Janë eliminuar defektet e sezonit të kaluar. Skuadra zikaltër është një makineri perfekte, që ka mësuar të menaxhojë edhe situatat ekstreme.
Një tjetër fitore dhe një tjetër paraqitje si skuadër e madhe. Interi kaloi një provë force, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë Juventusit. Një tjetër sfidë direkte ajo e ‘Maradonës’, e luajtur me vetëdijen e superioritetit dhe qetësinë e të fituarit në çdo fushë.
Një pjesë e parë e kampionatit gati perfekte, përtej avantazhit ndaj ndjekësve. Sipas disa trajnerëve (Fabio Capellos për shembull), titulli fitohet me mbrojtjen më të mirë. Dhe Interi e ka. Të tjerë trajnerë (Arrigo Sacchi për shembull) mendojnë se triumfi vjen kur shënon më shumë se të tjerët. Dhe Interi e ka edhe këtë rekord.
Nëse është e vërtetë që mbrëmjen në Napoli pati pak vuajtje në fillim (traversë e Politanos dhe disa pritje të Sommer), është po ashtu e vërtetë që nga goli i Calhanoglu e më pas, Interi u bë padron i ndeshjes, duke mos dhënë asnjëherë përshtypjen se ishte në vështirësi. Një pozicionim perfekt i lojtarëve si në lojën me top, ashtu edhe atë pa top.
Simone Inzaghi, që një vit më parë ishte vënë në diskutim, siç ndodh me të gjithë trajnerët që nuk kanë vazhdimësi rendimenti me skuadrën e tyre, sot ka ndërtuar një makineri perfekte. Askush nuk e vë në diskutim, skuadra e sotme është Interi më i mirë nga koha e ‘Tripletës’, ndoshta edhe pak më i rafinuar nga pikëpamja e lojës korale dhe kombinimeve. Edhe pse ndoshta më i varfër në individualitete. Një skuadër që kandidon fort për titullin dhe yllin e dytë.
Futbolli është bërë nga emocionet dhe jo nga shifrat, por pak aritmetikë ndihmon për tema vendimtare: 6 fitore në 7 transferta sezonale në Itali, me 2 gola të pësuar, 9 ndeshje ndërkombëtare pa pësuar gol dhe 10 gola të shënuar nga mesfushorët. Në sulmin më të mirë të Serisë A ka një djalosh francez të aftë për të marrë pjesë në 11 gola (5 gola dhe 6 asiste). Puna e Inzaghit ka eliminuar defektet e vëna në dukje shpesh sezonin e kaluar.
Deri tani Interi ka mundur rivalët direktë, Milanin, Romën dhe Napolin, plus barazimi në fushën e Juves. Në fazën e dytë pret në fushën e vet Napolin dhe Juventusin, që nuk është një avantazh i vogël.
Metamorfoza tjetër e madhe i takon raportit mes ndeshjeve të kampionatit dhe Championsit. Vitin e kaluar Interi çoi dëm shumë pikë në ndeshjet para dhe pas impenjimeve europiane. Këtë vit, falë një kalendari më të mirë dhe një grupi më të lehtë, faktori Champions nuk ka qenë i dhimbshëm për zikaltrit.
Tani kemi një Inter që në fushë dhuron një imazh ndriçues të vetvetes. Ka mësuar të menaxhojë emergjencën në mënyrë perfekte. Në verë thuhej se Inzaghi ka dy skuadra edhe është e vërtetë, por edhe në këto raste mund të dalin vështirësi.
Dëmtimet e Pavard, Bastonit dhe De Vrij kanë nxjerrë në pah aftësinë e trajnerit, që ka ‘sajuar’ një tredhëmbësh të jashtëzakonshëm. Carlos Augusto ka bërë shumë mirë mbrojtësin e qendrës.
Ëmbëlsira për në fund dhe ka të bëjë me shifrën e lartë teknike të skuadrës së Inzaghit. Puna javore e bën fluide fazën e zotërimit të topit, që shprehet me kombinime shumë të bukura. Përtej kësaj është edhe kualiteti individual i disa lojtarëve. Ky është motivi kryesor dhe ndoshta i vetmi pse njerëzit tërhiqen prej një shekulli e gjysmë nga kjo lojë.
Gjuajtja e Calhanoglu te goli i parë ndaj Napolit, driblimi i Barelës te 2-0, pasimet e Lautaro Martinez, pritjet e Sommer: këto janë ato që ëndërrojnë fëmijët dhe shpesh edhe të rriturit. Këto janë ‘armët’ plus të këtij Interi më të fortë që nga koha e ‘Tripletës’.