Politika Rama zbulon projektet për Shkodrën: Më në fund do të ketë një...

Rama zbulon projektet për Shkodrën: Më në fund do të ketë një hyrje

“Shkodra është prioritet kryesor dhe do të vazhdojë e tillë”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste.

Kryeministri i vendit ka folur gjatë në lidhje me projektet që po realizohen dhe që janë në plan që të zhvillohen në Shkodër.

Rama ka thënë se ka nisur puna për projektin e hyrjes së Shkodrës, kalanë e Rozafës, rrugën Shirokë-Zogaj, restaurimin e godinës së Bashkisë Shkodër dhe të tjera.

“Shkodra është e vetmja nyje strategjike e zhvillimit të vendit që është e patrajtuar ende. Nyjet e tjera kanë akoma shumë punë për t’u kthyer krejtësisht në motor zhvillimi që punojnë në të gjithë fuqinë e tyre janë në funksion të ekonomisë së vendit. Shkodra, prioritet kryesor dhe do ta vazhdojmë ta kemi prioritet kryesor. Kemi nisur projektin e hyrjes së Shkodrës, po bëhet dhe është në kantier. Ka filluar puna, është faza e parë. M’u duk si rastësi domethënëse që kompania që e kishte marrë kontratën është ajo kompani që ka bërë një pjesë të punës për Lungomaren e Shkodrës.

Shkodra do të ketë më në fund një hyrje. Në Shkodër hyhet si msheftas. Një qytet që ka bekimin e ujit dhe ku ti hyn dhe nuk shef ujë fare sepse i ke pamjet e zëna, është një qytet që është marrë peng. Do ja heqim lakun, do të jetë një zhvillim shumë i bukur në atë zonë. Kemi një tjetër projekt për kalanë e Rozafës, për ta bërë akoma më tërheqëse dhe të disponueshme për aktvitetet që zhvillohen aty. Jemi duke punuar për një projekt tjetër, për fabrikën e telave për ta kthyer edhe atë zonë në një destinacion kryesisht për të rinjtë me terrene sportive, aktivitete sportive, kryesisht, por jo vetëm.

Ishim në bashki dhe pamë projektin e ri që tanimë është bërë gati për të gjithë zonën e Zdrales dhe jam i kënaqur që do të kem dorë në heqjen e atij tregut të tmerrshëm mbrapa stadiumit. Do të hiqet tregu, por nuk do të lihen pa asnjë mundësi ata që kanë kualitet në punën që bëjnë. Është një investim i madh që lidh stadiumin me pjesën qëndrore. Aty ka aktivitet tregtar të rëndësishëm dhe një potencial të madh që sot për sot nuk duket sepse është i mbuluar nga gjithë ajo rrëmujë që është.

Projekt për vitin e ardhshëm dhe me faza do ta realizojmë dhe ajo do të bëhet një qendër e re e Shkodrës që do të krijojë goxha energji për qytetin dhe që do të rrisë turizmin në qytet. Kemi rrugën Shirokë-Zogaj që është pjesë e planit për të zhvilluar zonën e liqenit të Shkodrës. Do të fillojmë me restaurimin e godinës së Bashkisë Shkodër. Ajo godinë flet shumë se kush e ka drejtuar Shkodrën për 30 vjet. Është lënë në një situatë shumë të keqe dhe është shtëpia e qytetit. Beneti ka bërë mirë që e ka hapur dhe kthyer në një pikë të aksesueshme për njerëzit. Ka nevojë të jetë një diamant në dorën e qytetit dhe jo një godinë që të vjen keq kur e sheh.

Jemi duke përfunduar Muzeun e Kujtesës, Muzeu i historisë së dhimshme. Do ta kthejmë në një muze dinjitoz që do të dëshmojë historitë tragjike të komunizmit”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se pas 30 vitesh qyteti ka ndryshuar dhe është më i pastër se më parë.

Nuk munguan as batutat e kreut të qeverisë ndaj kryebashkiakut Benet Beci.

“Projekti i energjisë diellore për banesat që shpresoj të ecë përpara, por është Beneti pa qeverinë dhe unë kam besim që Beneti duke qenë me një këmbë të majtë dhe një këmbë të djathtë se ne të tjerët jemi me dy këmbë të majta do të dijë të përdorë edhe këmbën e djathtë se të majtën dë ta përdori se ia hedhim ne topat.

Pa harruar rrugën e Dukagjinit, një projekt i premtuar shumë por jo nga unë. Kur unë i thashë se ai nuk donte, më tha se një nga gjërat është rruga e Dukagjinit dhe ta premtoja unë. Unë e kam zor ta premtoj një fjalë, por po ta them bëj çmos ta mbaj, pavarësisht se politika është si jeta që gjatë rrugës i ndryshojmë planet. Ama mbajtja e zotimeve është çështje kohe.

I kemi mbajtur pjesën më të madhe. Arsyeja se pse jemi këtu është që t’i mbajmë të gjitha zotimet. Ky është takimi i parë me një vend që nuk e qeverisnim më përpara. Duke qenë se jemi këtu për të mbyllur ciklin e takimeve para Kongresit e pashë të arsyeshme të flas për këtë qytet të bekuar që jetoi 30 vjet me idenë që mallkimi ishim ne dhe vetëm sa ka filluar ta shohë që ne jemi bekimi i Shkodrës dhe mallkimi ishte tjetër kush”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeministri Rama.