Nga Gjergji Kajana
Njësia gjeografike territoriale emërtuar Palestinë përfshin territorin aziatik vendosur mes Libanit në veri, Gjirit të Akabës në jug, lumit Jordan në lindje e Mesdheut në perëndim; janë pjesë e saj politikisht të dallueshme shteti i Izraelit, Cisjordania (shtrirë në bregun perëndimor të Jordanit) e Rripi i Gazës. Projektuar nga OKB pas Luftës së Dytë Botërore të ndahej mes një shteti izraelit e atij palestinez, prej 1948-s territori i Palestinës u pushtua prej Izraelit gjatë luftërave me vendet fqinje arabe. Mungesa e një shteti palestinez i ka dhënë jetë një krize që përbën një gjenerues konfliktesh në Lindjen e Mesme, i të cilëve ky i nisur në 7 tetor është i fundit në rendin kohor.
Lufta e Sukotit ngrin riafrimin izraelito-saudit
Në 7 tetor një sulm i befasishëm i organizatës islamike sunite Hamas brenda territorit izraelit risjell në kujtesën historike Luftën e Yom Kippur-it (1973) mes shtetit hebraik dhe Egjiptit e Sirisë. Si atëherë armiqtë e Izraelit kanë ndërmarrë nisjen e konfliktit. Administratore politike e Rripit të Gazës, organizata Hamas godet Izraelin në një moment kur ky ndihej gjeopolitikisht besimplotë për shkak të një periudhe karakterizuar nga një valë normalizimi marrëdhëniesh me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Marokun, Sudanin dhe tratativash intensive – ndërmjetësuar nga SHBA – për ta shtrirë vendosjen e lidhjeve tek Arabia Saudite, fuqia më e madhe e botës myslimane sunite në Lindjen e Mesme. Normalizimi izraelito – saudit do t’i jepte jetë një boshti Uashington – Tel Aviv – Riad kundërvënë Iranit – fuqi shiite rivale e të treve. Teherani e Riadi sivjet (me ndërmjetësimin kinez) kanë shkrirë marrëdhëniet por synojnë hegjemoninë rajonale, duke mbetur në rivalitet. Kuadri post-7 tetor ka ngrirë procesin e afrimit izraelito – saudit: Riadi ndodhet në pamundësi për të heshtur ndaj raprezaljes së shtetit hebraik në një territor me shumicë arabe.
Izraeli rrethuar nga një unazë zjarri kundërshtarësh
Lufta e nisur në 7 tetor sheh bashkë Hamasin e financuesin e tij kryesor Iran të bashkuar në objektivin për t’i imponuar ushtarakisht Izraelit kosto të larta që ulin ndjenjën e paparashikueshmërisë së reagimit që ky ngjall tek rivalët. Organizata islamike sunite dhe shteti teokratik shiit kërcënojnë kufijtë jugorë të Izraelit prej Rripit të Gazës ndërsa prej Libanit (ku vepron Hezbollah) e Sirisë kompletojnë një unazë zjarri rreth shtetit hebraik milici filoiraniane që Irani mund t’i aktivizojë në rast të një konflikti të drejtpërdrejtë Teheran – Tel Aviv ose si agjentë të zgjerimit të konfliktit.
Kriza në Gaza mund të shtrihet shpejt nga një luftë raketash në një këmbësorie, në të cilën ushtria izraelite – asistuar nga një flotë ajri hiperteknologjike – do të duhet të përballojë brenda Rripit luftëtarët e Hamasit, milicish të tjera e civilë që mund t’i bashkangjiten. Neutralizimi më i plotë i arritshëm i kapaciteteve të Hamas-it do të kërkojë shkatërrimin e shumë tuneleve të nëndheshme që lidhin Gazën me botën e jashtme; në to fuqia luftarake izraelite minimizohet prej pamundësisë për të përdorur me efikasitet epërsinë teknologjike në armatime e teknologji. Prej gati dy javësh civilët gjenden pa rrugëdalje mes bllokadës e bombardimeve izraelite dhe në një skenar lufte tokësore gjendja e tyre mundet vetëm të rëndohet.
SHBA dhe përmbajtja e shtrirjes së luftës
Superfuqi e cila ka zgjedhur si partner kryesor Izraelin në Lindjen e Mesme për të përmbajtur shtrirjen e ndikimit iranian dhe pasur një aleat më të besuar sesa Turqia, Arabia Saudite ose Egjipti, SHBA gjenden totalisht në krah të shtetit hebraik në këtë konflikt. Uashingtoni po tenton të bindë Tel Avivin të lejojë zgjidhje humanitare për civilët e bllokuar, minimizojë rreshtimin e vendeve arabe kundër Izraelit por mbi të gjitha (përmes spostimit të një pjese të flotës ushtarake në Mesdhe pranë brigjeve të Lindjes së Mesme) të përmbajë Iranin nga nxitja e hyrjes në luftë të milicive të unazës së zjarrit në Liban e Siri. Ndaj Iranit vullneti amerikan është materializimi në besueshmëri i kërcënimit të ndërhyrjes luftarake të drejtpërdrejtë të Uashingtonit krahas Izraelit kundër këtyre milicive ose potencialisht vetë Teheranit.
Cila paqe e mundshme?
Në 1973 presidenti egjiptian Sadat nisi luftën e katërt arabo-izraelite për të larguar prej kombit arab ndjenjën e inferioritetit ushtarak ndaj Izraelit; siç rrëfejnë fjalët e liderit arab në biografinë e tij shkruar prej Henry Kissinger-it, ai e mendoi përballjen si “konflikt për t’u fituar e hyrë në negociata nga një pozicion barazie”. Pas konfliktit Egjipti e Izraeli u njohën reciprokisht, rezultat që Sadat e pagoi me jetën e tij. Hamas e Irani janë entitete revolucionare që synojnë shkatërrimin e Izraelit për ta kthyer Palestinën në një pikëmbështetje të një Lindjeje të Mesme sunduar nga Islami politik; roli i tyre mund të minimizohet vetëm përmes një procesi politik që të mbajë të përfshira fuqi laike palestineze dhe vendet e rajonit që njohin Izraelin – proces ky që potencialisht do të mund të zhvillohet vetëm pasi shteti hebraik të ketë tejkaluar shokun aktual të pasigurisë induktuar nga sulmi i 7 tetorit. Lufta ka rikthyer tërësisht me vëmendjen nga Lindja e Mesme superfuqinë SHBA, që janë njëkohësisht partnerë të Izraelit e vendesh të rëndësishme të rajonit (in primis Arabia Saudite e Egjipti) – pozicion ky që i kthen në ndërmjetës me peshë për ekuilibrat gjeopolitikë në terren. Nëse Rripi i Gazës do të rivendoset në kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit hebraik prova kryesore për një gjendje paqeje në të do të jetë niveli i qeverisjes cilësore që do të zgjidhet për territorin e ripushtuar; do të ndihmonte shumë këtë proces një regjim i ndërkombëtarizuar administrimi ku të kishin një rol OKB dhe vendet arabe që njohin Izraelin, të vetmet që ai do të mund të konsideronte të pranueshme për përfshirje.
*Artikulli është botuar italisht në median italiane Lanterna Web.