Kryesore Berisha flet në errësirë: Kosova do i marrë vizat, Shqipërisë do i...

Berisha flet në errësirë: Kosova do i marrë vizat, Shqipërisë do i hiqen nga Komisioni Europian

Mungesa e energjisë elektrike dhe dështimi i seancës plenare nuk e ka penguar kryedemokratin Sali Berisha që të flasë nga foltorja e Kuvendit.

Ky akt, për Berishën është tregues se çfarë përfaqëson kjo qeveri.

“Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan. Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë.

Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet.

Kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore.

Për herë të parë, Edi Rama, në traditën më të egër të etërve të tij xhelatë, mori përsipër duke gjetur një peng, të keqpërdorë atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale.

Kjo është dita e parë e betejës sonë, në këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush.

Ju, me kurajën votuat kundër qeverisë. Kundër një qeverie e cila ka rekordet më të zeza në vjedhjen, varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ka rekordet më të zeza në lidhje me krimin dhe drogën. Ka rekordet më të zeza në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike dhe fondet e buxhetit të shtetit. Ka rekordet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës nga Sinaloa e Meksikës që sot është kryekarteli i botës te grupet në Ekuador dhe në vende të tjera. ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunimin masiv të votës”, tha Berisha.

Berisha shprehet i bindur se Shqipërisë do t’i hiqen vizat nga Komisioni Europian.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama, për të cilin thotë se ka lobuar për bllokimin e vizave për Kosovën.

“Argati i shpifun të Millosheviçit të ri shndërroi 3 ditë evropiane të Shqipërisë në 3 ditë kundër shqiptarëve të Kosovës. Nuk do e pranojmë një situatë të tillë dhe do të mbrojmë me të gjithë forcën tonë interesat kombëtare. Kosova sot ka qeverinë e vet të zgjedhur në mënyrën më demokratike. Ka 1 kryeministër ndaj të cilit nuk rëndon dot asnjëlloj akuze që rëndon mbi Vuçiç dhe familjarët e tij. Ne nuk duam dhe nuk do të përfshihemi në punët e brendshme. Tradhtar që përdor pushtetin kundër Kosovës. Ka tejkaluar çdo kufi dhe çdo linjë. Të gjithë ata që duan Shqipërinë, të ngrihen.  Ky lobon për bllokimin e vizave për Kosovën, ky është një akt anti-kombëtar. Vizat Kosova do t’i marrë dhe Shqipëria do të jetë vendi i parë të cilit do t’i hiqen vizat nga Komisioni Evropian. Lexoni pak direktivat e reja për heqjen i vizave, Shqipëria plotëson çdo kusht që Komisioni ka përcaktuar”, tha Berisha.