Nga Ido Vock në Londër & Jovana Georgievski në Beograd – BBC News
Aleksandar Vuçiç ka dominuar politikën serbe për dekadën e fundit, fillimisht si kryeministër dhe më vonë si president. Për mbështetësit e tij, ai është një udhëheqës pragmatik që kapërceu ndarjet e thella të Serbisë dhe udhëhoqi rritjen e qëndrueshme ekonomike. Kritikët e akuzojnë se ai konsolidoi pushtetin në duart e tij dhe minoi normat demokratike. Ai është tani për më shumë se një vit në mandatin e dytë dhe të fundit 5-vjeçar presidencial.
Muajin e kaluar ai thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale që do të mbahen të dielën e ardhshme, pas protestave masive në vend dhe kërkesave të ndërkombëtarëve për të zgjidhur konfliktin e gjatë të Serbisë me Kosovën. Partia Progresive Serbe (SNS) që ai e drejtoi për më shumë se 10 vjet (dha dorëheqjen një vit më parë) duket se do të mbetet në pushtet. Në krahun tjetër një opozitë e bashkuar synon të fitojë kryebashkiakun e kryeqytetit Beograd, ku banon gati një e treta e popullsisë. Një fitore e tillë mund të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme autoritetin e Vuçiç.
Për Zorana Mihajlovic, e cila u nda me të që nga koha kur ai shërbente si zëvendëskryeministër, Vuçiç është “një populist në rrugën për t’u bërë diktator”. Freedom House e rendit vendin që ai drejton si “pjesërisht të lirë”.
Aleksandër Vuçiç ka lindur në Beograd në vitin 1970, kur Serbia ishte ende pjesë e Jugosllavisë, një federatë socialiste në Ballkanin Perëndimor. Ai tregon se si familja e tij u largua nga Bosnja pas persekutimit nga fashistët kroatë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për një kohë, në vitet 1980 ai jetoi në Mbretërinë e Bashkuar, ku mësoi anglisht. Me paratë që fitoi duke punuar në një dyqan harduerësh bleu një radio të vogël, të cilën e mori në shtëpi.
“Prindërit e mi u kënaqën kur e panë atë”, – kujtonte ai më vonë në një fjalim në London School of Economics. Pikërisht kur Jugosllavia u shpërbë në fillim të viteve 1990, filluan luftërat brutale në Ballkan. Serbia dhe Mali i Zi ishin gjithçka që mbeti në Jugosllavi, së bashku me Kosovën, një rajon i shkëputur i Serbisë me një popullsi shumicë etnike shqiptare.
I ndikuar nga ultra-nacionalizmi serb dhe huliganizmi i futbollit, Vuçiç iu bashkua Partisë Radikale të ekstremit të djathtë në moshën 23-vjeçare. Radikalët kërkonin një Serbi të Madhe duke marrë toka nga vendet fqinje. “Ju vrisni një serb dhe ne do të vrasim 100 myslimanë” – ka thënë ai disa ditë pas masakrës së Srebrenicës në korrik 1995, kur 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.
Në vitin 1998, njeriu i fortë jugosllav Slobodan Millosheviç e bëri Vuçiç ministrin e tij të informacionit. Në qeveri, Vuçiç ishte përgjegjës për zbatimin e disa prej ligjeve më kufizuese të Evropës për lirinë e fjalës. Ishte një epokë “e shënuar me spastrim etnik, urrejtje ndaj kroatëve dhe myslimanëve, sanksione dhe luftëra”, thotë Zorana Mihajlovic.
Në vitin 1999, forcat e NATO-s filluan të bombardojnë Jugosllavinë në një përpjekje për t’i dhënë fund dhunës kundër shqiptarëve etnikë nga forcat jugosllave në Kosovë. Së shpejti, Vuçiq dhe kolegët e tij mbetën jashtë pushtetit. Në vitin 2008 ai dhe ish-anëtarë të tjerë të radikalëve themeluan Partinë Progresive Serbe (SNS).
Ai iu nënshtrua një ndryshimi publik, duke hequr dorë nga ultra-nacionalizmi i tij i mëparshëm dhe duke u zotuar se do ta fuste Serbinë në Bashkimin Evropian. Atë vit, Kosova shpalli pavarësinë, një veprim që nuk u njoh kurrë nga Serbia. Përparimi i Vuçiç në radhët e politikës serbe ishte i shpejtë.
Në vitin 2012, SNS fitoi zgjedhjet parlamentare, duke hyrë në koalicion me Partinë Socialiste. Vuçiç u emërua zëvendëskryeministër dhe më pas kryeministër në vitin 2014-ën. Në vitin 2017, ai u zgjodh president me shumicë që në raundin e parë të votimit. Pasi u ngjit në krye, Vuçiç konsolidoi sundimin e tij. Kundërshtarët thonë se ai e bëri këtë duke gërryer institucionet demokratike në një mënyrë që të kujton autoritarizmin e viteve 1990. Zonja Mihajlovic beson se Serbia “është duke u distancuar nga BE dhe demokracia”.
“Qeveria është pothuajse në kontroll të plotë të të gjitha niveleve të institucioneve publike dhe medias,” thotë Florian Bieber, një ekspert i nacionalizmit serb në Universitetin e Gracit. Mbështetësit e Vuçiçit e kundërshtojnë këtë karakterizim, duke e parë dominimin e tij në politikën serbe si rezultat i qeverisjes së suksesshme.
Ata tregojnë për epokën e Vuçiçit si një epokë të rritjes së paprecedentë, të një vendi postkomunist të lënë në hije nga lufta, duke u bërë një ekonomi e përparuar evropiane. Marko Cadez, kreu i Dhomës Serbe të Tregtisë, vlerëson politikat e tij ekonomike me dyfishimin e PBB-së së Serbisë gjatë dekadës së fundit. “Aleksandar Vuçiç e njeh artin e politikës. Ai kreu reforma që nuk ishin të lehta apo të këndshme” – thotë ai. Ai shton se Vuçiçit duhet t’i jepet merita për menaxhimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me Kosovën.
Në shtator, një shpërthim i dhunës në veriun e Kosovës me shumicë serbe la 4 persona të vdekur, duke ringjallur frikën e paqëndrueshmërisë rajonale. Por lideri serb së fundi ka sinjalizuar se është i gatshëm të normalizojë zyrtarisht marrëdhëniet me Kosovën. Kjo ka bërë që kundërshtarët politikë ta akuzojnë atë për tradhti. Vuçiç ka kultivuar marrëdhënie të mira me fuqitë rivale gjeopolitike.
Ai thotë se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, e cila përbën më shumë se gjysmën e shkëmbimeve të Serbisë, por në të njëjtën kohë ai ka mbrojtur marrëdhëniet miqësore me Rusinë dhe ka hapur Serbinë ndaj investimeve kineze. Në tetor, ai nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën pas një dekade lidhjesh gjithnjë e më të ngushta ekonomike.
Kompanitë kineze janë zgjedhur për të ndërtuar rrugë dhe hekurudha në Serbi, duke e bërë vendin ballkanik një nga pikat kryesore të iniciativës “Brez dhe Rrugë” të Presidentit Xi Jinping në Evropë. Një kompani kineze tashmë drejton një minierë të madhe bakri dhe ari në Serbinë lindore.
“Për Serbinë, bashkëpunimi me të gjithë aktorët globalë është një gjë shumë e mirë” – thotë Katarina Zakiç, drejtuese e Qendrës Rajonale “Brez dhe Rrugë” në Institutin e Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare të Beogradit. Pak para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar, Vuçiç tha se nuk do të kundërshtonte politikat e Kremlinit, pasi “85% e serbëve do të jenë gjithmonë në anën e Rusisë çfarëdo që të ndodhë”.
Ishte një ekzagjerim, por ai e mbajti fjalën. Serbia ka refuzuar të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Moskës, pavarësisht se ka statusin e kandidatit në BE. Rusia e ka mbështetur vazhdimisht Serbinë duke votuar kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Qeveria e tij madje është akuzuar për lehtësimin e rieksportit të teknologjisë së sanksionuar “me përdorim të dyfishtë” në Rusi. Zorana Mihajlovic beson se ai nuk është instinktivisht pro Rusisë, por është thjesht një pragmatik. “Sa më e izoluar të jetë Serbia, aq më i fortë është kontrolli i tij në pushtet.”
Prova e tij më e madhe në zgjedhjet e 17 dhjetorit do të jetë Beogradi, pasi partitë opozitare shfrytëzuan zemërimin për dy vrasjet masive në maj, në të cilat u vranë 19 vetë. Njëra ishte në një shkollë fillore të Beogradit. Një koalicion i quajtur “Serbia kundër dhunës” (SPN) është duke u ngjitur në sondazhe. Por Vuçiç është i bindur për fitoren dhe akuzon rivalët e tij se janë të fiksuar në largimin e tij nga pushteti. “Ne do të shohim se kush do të qeshë pas zgjedhjeve” – përgjigjet ai.