Analizat e popullsisë, për të parë se kush e ka kapërcyer koronavirusin edhe pa e vënë re, mund të ndihmojë që qeveritë t’i lehtësojnë sa më shpejt kufizimet e t’i lejojnë njerëzit të kthehen në punë.
Këto analiza gjaku, të cilat njihen “teste antitrupash”, janë ndryshe nga ato që po bëhen tani dhe mund të japin një ide më të mirë për mënyrën se si është përhapur pandemia.
“Imuniteti ka qeliza kujtese, antitrupa, të cilat mbeten në gjak pas një infeksioni dhe janë specifike për këtë virus”, thotë për Euronews dr.Caroline Buckee, profesore epidemiologjie te Fakulteti i Shëndetit Publik në Harvard.
Analizat që bëhen tani marrin një tampon nga mukoza e hundës, për të parë nëse personi është mbartës i virusit.
Tamponët analizohen më pas në laborator, për të identifikuar virusin.
Por testet e antitrupave mund të përcaktojnë edhe personat që e kanë kaluar virusin, duke kontrolluar për antitrupat që ka krijuar sistemi imunitar për të sulmuar virusin.
“Ende nuk e dimë nëse këto antitrupa mbrojnë nga infeksioni. Ky është thelbi”, shtoi dr.Buckee.
Kjo do të thotë që ekspertët janë ende duke studiuar nëse mund t’u rikthehet virusi atyre që e kanë kaluar një herë.
Shumë ekspertë mendojnë se ata që e kanë kaluar do të jenë imunë për disa kohë.
Prandaj, shumë vende të botës po investojnë në analiza antitrupash, për të ditur se cila pjesë e popullsisë është imune ndaj virusit.
Disa laboratorë në Europë dhe SHBA kanë nisur të prodhojnë versione komerciale të këtyre analizave, të cilat do të mund të gjenden në treg brenda pak javësh.
Në SHBA, autoritetet e lejuan prodhimin e testeve të antitrupave vetëm para një jave.
Dr.Jenny Harries, Zv.Inspektorja e Përgjithshme e Shëndetësisë në Angli, tha se këto analiza mund të tregojnë se cila pjesë e popullsisë do të jetë e rrezikuar edhe në të ardhmen nga COVID-19, dhe cila jo.
Analizat në Angli do të fillojnë me disa grupmosha të caktuara, fillimisht, dhe shtoi se përgjigjet e këtyre analizave do të jenë shumë më të shpejta se tamponët.
Duke parë se çfarë përqindjeje e popullsisë i ka antitrupat në gjak, mund të kuptohet nëse popullsia do të jetë e mbrojtur nga një valë e dytë përhapjeje.