Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli për “Radio Anch’io Sport”, duke komentuar startin e sezonit të emrave të mëdhenj në ligën italiane. Pasazhi i parë kushtuar Interit, të cilin ai tashmë e ka takuar dhe mundur me “Los Blancos” në grupin e Ligës së Kampionëve: “Interi ka ruajtur strukturën e sezonit të kaluar, duke ndryshuar trajnerin dhe disa lojtarë të rëndësishëm, por mua më duket një ekip shumë solid. Ndaj nesh luajti shumë mirë, na vuri në vështirësi, më duket një ekip me një entuziazëm të madh. Zikaltrit mund të konkurrojnë për titull”.
Ish-trajneri i Juves, Milanit dhe Napolit, pasi vlerësoi fillimin e tij personal të sezonit me Realin (“ne kemi një shpirt të madh dhe e filluam mirë”), komenton momentin e Juventusit: “Serie A është shumë e ekuilibruar. Juve është një ekip që ka disa probleme, ka humbur sigurinë dhe po përpiqet të gjejë një identitet të saktë. Në fund, megjithatë, unë mendoj se do të dalë dhe do të jetë ndër kandidatët për fitimin e titullit”.
Për Romën e Mourinhos: “Ai gjeti një vend të përshtatshëm për aftësitë dhe cilësitë karakteriale. Menjëherë mendova se ishte vendi i duhur për të dhe në fund kështu do të jetë. Me të vërtetë shpresoj se Roma do të jetë në gjendje të fitojë me Mou, siç unë shpresoj te Milani. Ato janë dy skuadra me të cilat jam shumë i lidhur. Napoli? Kam kaluar dy vite atje dhe jam ndjerë shumë mirë. Mendoj se përfundoi në mënyrën e duhur, sepse kur nuk ka harmoni mes klubit dhe trajnerit është e saktë të ndahesh. Këtë sezon, Napoli është po aq konkurrues sa në sezonet e fundit. Nuk e di nëse do të fitojë trofe, por mund të konkurrojë”.