Shifrat shpesh të ndihmojnë, por ndonjëherë edhe mund të gënjejnë dhe të të ngatërrojnë. Që kur Ancelotti mbërriti te Bayern Munchen, Thomas Muller ka luajtur si titullar 36 nga 51 ndeshjet për të cilat ka qenë i disponueshëm. Pra, në 72% të rasteve ai ka zbritur në fushë që nga minuta e parë.
Kjo statistikë duket pozitive, për sa kohë që nuk dihet e shkuara. Kjo, sepse Muller, përpara se të niste epoka “Ancelotti” kishte luajtur si titullar në 89% të rasteve.
Një bilanc i tillë të rikthen në vëmendje frazën e Van Gaal, i cili teksa fliste për rotacionet, deklaronte: Muller do të luajë gjithmonë.
Por, për Ancelottin nuk është kështu. Situata e Thomas Muller duket më irrituese nga sa mund të shihet nga jashtë. Ai nis nga pankina thuajse të gjitha ndeshjet e rëndësishme të Bayernit, e kjo është parë ndjeshëm në vitin e kaluar. Duket si një sinjal se teknikut italian i mungon besimi te ky lojtar.
Dhe të shtunën e kaluar, edhe pse ishte hera e parë që qëndronte në pankinë për këtë sezon, Muller shpërtheu.
“Nuk e di se çfarë cilësish kërkon të shohë trajneri tek unë. Ato të miat, me siguri nuk janë 100%-shi i atyre që kërkohen prej tij”, tha Muller për një televizion gjerman. Edhe pse gjatë grumbullimit përpara sezonit ishte shprehur besimplotë pas atij sezoni negativ vitin e kaluar. “Kam pasur nevojë për kohë që të kuptoja Ancelottin, tashmë do të jem mirë”, shprehej ai… Por duket se asgjë nuk ka ndryshuar.
Edhe pse trajneri italian ka shpjeguar se zgjedhja e tij ishte thjesht teknike, për t’u lejuar më shumë vend Robben dhe Ribery, Gjermania duket se është rebeluar dhe e ka kthyer këtë në një çështje të rëndësishme.
Muller është simboli i vendit, i Mynihut po e po, por veçanërisht i komunitetit të “Mia san Mia”-s, sloganit të klubit bavarez. Ky ndoshta është momenti i parë i vështirë në karrierë. Kjo pasi shifrat tregojnë gjithashtu se flitet për një futbollist, që me Bayernin ka shënuar 161 gola në 399 ndeshje, por vetëm 9 gola në 46 të luajtura nën drejtimin e italianit.