Mbrëmjen e së shtunës, në “Allianz Stadium” do të luhet ndeshja e parë e madhe e Serie A. Juventusi i Maurizio Sarrit do të presë Napolin e Carlo Ancelottit. Do të jetë një provë e shkëlqyeshme për të parë nivelin e dy skuadrave, kampiones dhe nënkampiones, që luftojnë edhe në sezonin e ri për titull në Itali. Carlo Ancelotti foli në një konferencë për shtyp sot, duke bërë prognozën e sfidës, por u ndal edhe te merkatoja.
“Llorente po vjen? Unë nuk di asgjë. Në këtë moment nuk mund të interesohem për merkaton, sepse nesër luajmë kundër Juventusit. Nëse vjen, unë do të jem i lumtur, pasi ka karakteristika të ndryshme nga lojtarët e tjerë në skuadër. A më mbeti peng Mauro Icardi? Jo, nuk kam asnjë keqardhje”, – tha “Carletto”.
Blerja e Lozano është tashmë zyrtare, me meksikanin që do të jetë surpriza e vërtetë e ndeshjes së madhe në “Allianz Stadium”: “Lozano erdhi në gjendje shumë të mirë nga PSV, pasi e ka filluar përgatitjen shpejt atje. Ka bërë përgatitje paraprake për “Europa League”. Ai është gati të luajë, sigurisht që ai akoma duhet të përshtatet me gjithçka te Napoli“. Gjykimi i trajnerit mbi merkaton e kësaj vere është përgjithësisht pozitiv: “Jam i lumtur, gjithçka shkoi në rrugën e duhur për mua, por shpresojmë të jemi shumë të lumtur edhe gjatë sezonit”.
Sa i përket caktimit të arbitrit të ndeshjes, Orsato, trajneri Ancelotti nuk ankohet: “Nuk ka problem për ne, ai ka përvojë për kësi ndeshjesh”. Në fund, disa indikacione nga kampi stërvitor, me Milik që do të mungojë në ndeshjen e madhe të “Allianz Stadium”: “Milik nuk do të grumbullohet. Ai ka punuar veçmas. Ne po e kursejmë edhe në këtë sfidë, për ta pasur 100% në vazhdim. Ghoulam? Ai është mirë, por do ta shohim në stërvitjen e fundit”.