Mauro Icardi është “telenovela” kryesore e merkatos së futbollit në Itali, kësaj vere. I përjashtuar nga projekti i trajnerit Antonio Conte, ish-kapiteni zikaltër duhet sistemuar diku, në këmbim të një shumë të majme financiare. Juventusi vigjëlon, ndërsa lajme të rëndësishme mund të vijnë edhe nga Napoli, ku presioni për “Maurito” është intensifikuar.
Sipas “Corriere dello Sport” dhe “Corriere della Sera”, ka pasur një telefonatë mes Carlo Ancelotti dhe ish-kapitenit të Interit, në një përpjekje për ta bindur atë një herë e përgjithmonë.
Trajneri ka shfrytëzuar mundësinë e të qenurit protagonist absolut në Ligën e Kampionëve për ta joshur dhe i ka sqaruar sesi synon ta përdorë atë në fushë, brenda skemave taktike. Tani për tani, destinacioni napoletan po përpiqet të fitojë terren. Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Aurelio De Laurentiis i ka paraqitur Interit një ofertë prej 55 milionësh, që mund të arrijë deri në 60 milionë euro.
Vetë lojtarit i është propozuar pagë prej 7.5 milionë euro në sezon, plus shumë shpërblime të tjera. Problemet lidhen me vullnetin e Icardit. Në mendimet e tij është vetëm Juventusi. Sulmuesi nga Rosario konsideron vetëm bardhezinjtë në një nivel më të lartë se Interi në Serie A. Pra, ai dëshiron të mos shkojë me ulje profesionalisht, pas largimit nga zikaltrit. Në sfond është edhe Roma, me ofertën 35-40 milionë euro, plus Edin Dzeko.