Angela Martini sapo ka botuar librin e saj të parë “Dashuri, shpresë, dritë” – një autobiografi ku rrëfen gjithçka që nuk e kemi ditur për jetën e saj. E ftuar dje në “Opinion”, modelja shqiptare ka treguar më shumë rreth librit dhe historisë së jetës së saj. Ajo ka treguar se historia e saj e fëmijërisë është pak a shumë si ajo e Borëbardhës. Me dy prindër të divorcuar, Angela ka pasur fatin e keq të kishte një njerkë që nuk e donte dhe që e ka penguar të bashkohej me nënën e saj.
Kur ishte vetëm 10 vjeçe, ajo është larguar nga Shkodra drejt Zvicrës për të jetuar me të atin dhe gruan e tij të dytë. Aty filluan vuajtjet e saj për shkak të marrëdhënies së keqe me njerkën.
“Si historia e Borëbardhës. Njerka nuk më donte, kjo nuk dukej vetëm te mungesa ngrohtësisë, por te mashtrimet, shpifjet… Babai në fillim nuk më besonte, prandaj nuk kam treguar derisa kam mbushur 18 vjeçe që ia kam treguar nënës sime. Gjithçka e mbajta brenda vetes”, -është shprehur ajo.
“Shpërngulja në Zvicër ka qenë shumë dramatike, deri sot nuk kam kaluar gjë më të vështirë në jetën time. Shkova në një vend që nuk kisha dashurinë që isha mësuar, nuk kam shkuar në shkollë për 9 muaj, s’kam folur në telefon me nënën time. Njerka ime e kishte arritur të ndalonte që nëna ime të vinte në Zvicër”, -rrëfeu Angela.
Vëllai i një nxënëseje të nënës së saj që jetonte në Zvicër njihte një zviceran që i propozoi të martohej me nënën e Angelës. Burri zviceran fillimisht kishte kundërshtuar, duke qenë se nuk ishin takuar kurrë, por pasi i treguan historinë ai pranoi sepse dëshironte shumë të ndihmonte një nënë të bashkohej me të bijën. Falë tij, nëna e modeles shkoi në Zvicër, ku u takua në aeroport me zviceranin e quajtur Arnold me të cilin u dashurua dhe vazhdon të jetë e martuar edhe sot.