Angelina Jolie do të jetë Maria Callas.
Aktorja fituese e çmimit Oskar do të luajë sopranon greke në filmin “Maria”, filmi i ri biografik i regjisorit kilian Pablo Larraìn, ish-autor i “Spencer”, “Jackie” dhe “Neruda”, ndërsa për skenarin do të kujdeset Steven Knight, i cili e ka bashkëpunuar me Larrain edhe te “Spencer”.
Filmi do të tregojë dritë-hijet e historisë së trazuar, të bukur dhe tragjike të jetës së këngëtares më të madhe të operës në botë, e rijetuar dhe rimenduar gjatë ditëve të saj të fundit në Parisin e viteve ’70.
Duke komentuar rolin e ri, Angelina Jolie tha: “Unë e marr shumë seriozisht përgjegjësinë për të treguar jetën dhe trashëgiminë e Marias. Do të jap gjithçka që mundem për të përballuar këtë sfidë. Pablo Larraín është një regjisor që e kam admiruar prej kohësh. Të kesh mundësinë të tregosh historinë e Marias me të, dhe me një skenar të Steven Knight, është një ëndërr”.
Lidhur me projektin e tij të ri, Pablo Larraín shpjegoi: “Të kombinoja dy pasionet e mia më të thella dhe më personale, kinemanë dhe operën, ishte një ëndërr e shumëpritur. Të bësh këtë me Angelinën, një artiste jashtëzakonisht të guximshme dhe kureshtare, është një mundësi magjepsëse. Një dhuratë e vërtetë”.
Dy filmat e fundit biografikë të realizuar nga Larraìn, kanë fituar nominime për Oscar për protagonistët e tij: Kristen Stewart në 2021 për “Spencer”, bazuar në jetën e Lady Dianës, princeshës rebele dhe Natalie Portman në 2016 me “Jackie”, për Jackie Kennedy Onassis. Regjisori gjithashtu pati një nominim për çmimin Oscar në 2012 për “No”, i pari i Kilit për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Ndër projektet që mbërritën në kinema me fokus Maria Callas, kujtojmë filmin e Franco Zeffirelli, “Callas Forever”, me Fanny Ardant, tre muajt e fundit të jetës së saj, dhe dokumentari i Tom Volf “Maria by Callas”, me imazhe të papublikuara, regjistrime private dhe pamje arkivore të shfaqjeve të saj.