Ekonomi Krifca: 20 milionë euro për skemën e naftës, përfituan 34 mijë fermerë

Krifca: 20 milionë euro për skemën e naftës, përfituan 34 mijë fermerë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh sot se “qeveria mbështet me politikat e saj fermerët”.

Në një takim me fermerët në Fier ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, Krifca tha se “qeveria ka mbështetur me paketën e rezistencës fermerët për peshkatarët”.

Sipas saj, “janë vënë në dispozicion 20 milionë euro për skemën e naftës, ku ka 34 mijë fermerë përfitues”.

“Kjo luftë ka prekur jo vetëm Shqipërinë por të gjitha vendet. Para disa ditësh ministrat e BE-së u mblodhën në Luksemburg për të diskutuar efektin e çmimeve të rritura të inputeve bujqësore të azotit, dhe faktin se ka një mungesë në treg. Ne jemi përballë faktit se ekonomi të rëndësishme po prodhojnë më pak. Pra jemi në një sfidë dhe jemi përball faktit se duhet të mbrojmë konsumatorët, të mbrojmë shtresat në nevojë, fermerët që prodhojnë. Kësaj situate të pazakontë një qeveri e përgjegjshme i përgjigjet me politika që zgjidhin problemin. Pikërisht këtë kemi bërë. Nëpërmjet paketës së rezistencës sociale ne ndihmuam ato nënshtresa në nevojë për të përballuar energjinë, për të përballuar punën e mekanizuar me naftë për fermerët për peshkatarët, ku e dyfishuam skemën e naftës që kishin në dispozicion dhe masa të tjera mbështetëse që kishin të bënin me grurin. Ne filluam një politikë të re dhe na duhet kohë të përshtatemi dhe për ta vënë atë në ndikim të plotësimit të kësaj nevoje. Ne vumë në dispozicion buxhetin për të mbështetur fermerët”, tha ajo.

Krifca tha se “skemën e naftës ne e vumë në fuqi një vit më parë dhe kishim 19 mijë përfitues me një buxhet në dispozicion prej 4 milionë euro”.

“Bujqësia shqiptare është e orientuar politikisht drejt direktivave të BE-së dhe ne aneksojmë fonde të Bashkimit Europian. Nga këto investime janë 40 milionë euro që kanë shkuar investime në ferma të reja bujqësore, blegtorale, sera, pika grumbullimi në Fier. Sot kemi 167 investime të këtyre fushave dhe në agroturizëm. Dhe këto nuk i kanë marrë oligarkët por fermerët”, theksoi ajo.