Të gjitha baret, restorantet dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz në Angli, do të duhet të mbyllen në orën 22:00 nga e enjtja, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Këto janë masat më të reja të vendosura nga autoritetet britanike që pritet të shpallen nga kryeministri Boris Johnson më vonë gjatë së martës në një thirrje drejtuar popullit.
Zhvillimet e fundit vijnë pasi Britania e Madhe e rriti nivelin e alarmit për transmetimin e koronavirusit për shkak të shtimit të rasteve të reja.
Boris Johnson pritet të përsërisë thirrjet drejtuar britanikëve që të vijojnë të ndjekin masat e distancimit social dhe të mbajnë maska të paktën në ambientet e mbyllura.