Gazeta gjermane Bild pretendon se kancelarja Angela Merkel ka ndalur shpërthimin e një konfrontimi të armatosur mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor.
Sipas gazetës në fjalë, mund të kishte ndodhur një konflikt mes Greqisë dhe Turqisë, për shkak të tensioneve të larta nga provokimi turk, por ka qenë ndërhyrja e Merkel që pushoi konfliktin mes dy palëve.
Situata është e tensionuar për shkak se Ankaraja ka nxjerrë 18 anije ushtarake për lundrim drejt zonës detare në jug të ishullit grek të Kastelorizos. Nga ana tjetër, Athina i është kundërpërgjigjur Turqisë duke nxjerrë në Egje 85% të flotës së saj luftarake.
Po ashtu, edhe kreu i diplomacisë gjermane paralajmëroi Turqinë që të ndalojë eksplorimin e hidrokarbureve në zonën detare të Qipros dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, nëntoka besohet se është e pasur me naftë dhe gaz.
Bild shkruan se ka qenë vetë Angela Merkel, e cila ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis dhe presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.
Zona detare në jug të ishullit grek Kastelorizo, mes Kretës dhe Qipros konsiderohet një zonë që Greqia pretendon se është brenda zonës së saj ekonomike, ndërsa Turqia vlerëson se ndodhet brenda zonës detare për të cilën nënshkroi marrëveshje me qeverine e Tripolit në Libi.
Kryeministri grek, Mitsotakis ka deklaruar se nëse Turqia vijon këtë rrugë, zgjidhja e vetme do të jetë: vendosja e sanksioneve të BE-së.