Politika Parlamenti miraton “5 qershorin”, reagon Ambasada amerikane

Parlamenti miraton “5 qershorin”, reagon Ambasada amerikane

Pas miratimit në Kuvend me 97 vota pro të marrëveshjes së 5 qershorit, Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur vendimin.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare”.

Ambasada sheh pozitive edhe rithirrjen e Këshillit Politik, “për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore”. “Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike”.