Ansu Fati do të vazhdojë të jetë lojtar i Barcelonës deri në vitin 2027, i cili zgjodhi të rinovojë kontratën me katalanasit duke iu qëndruar besnik blaugranave.
Fati ka firmosur rinovimin e një kontrate që skadonte vitin e ardhshëm me 5 vite të tjera, duke u bërë edhe futbollisti me klauzolën më të çmendur në qarkullim së bashku me spanjollin tjetër, Pedri. Të dy lojtarët kanë klauzolë 1 miliard euro, çka është më e larta e vendosur ndonjëherë për një futbollist.
Kjo do të thotë shumë për të ardhmen e Fati, me Barcelonën që beson shumë tek ai. Diçka e tillë u pa dhe pas largimit të Messi, ku numri 10 shkoi në shpinën e talentit të lindur Guinea. Tashmë Fati duhet të fokusohet totalisht në fushë, ku ka vendosur dhe rekordet e para në karrierë.
Pas nënshkrimit të kontratës 18-vjeçari është shprehur për “Barça Tv” se është një nder i madh të luajë për Barcelonën, dhe falënderon klubin që i ofroi rinovimin e kontratës.
“Është një nder i madh, me vijnë në mendje shumë kujtime. E gjithë kjo është një ëndërr për mua dhe familjen time, është një emocion i madh të vazhdoj historinë time me Barcelonën, diçka që gjithmonë e kam dashur. I jam shumë mirënjohës klubit dhe skuadrës për mbështetjen që më kanë dhënë dhe shpresoj ti shpërblej në të njëjtën mënyrë. Që ditën e parë që shkela në ‘Camp Nou’, kuptova se doja që të qëndroja këtu për shumë vite”, deklaroi Fati.
Pikërisht për numrin e tij të ri, 10 e Messit, 18-vjeçari falënderoi klubin dhe kapitenët që i besuan. Ai premtoi se do të dijë ta menaxhojë presionin e fanellës së Leo Messit dhe dëshiron të vazhdojë rrugën e tij: “Unë mund të kisha mbajtur një numër tjetër, por mora këtë. Isha i gatshëm të vishja ’10’, sepse në fund jam te Barça dhe duhet të jem i përgatitur për gjithçka. Nuk është ndonjë presion, por më shumë motivim. Askush nuk do të krahasohet me atë që ka bërë Leo. Personalisht duhet të ndjek rrugën time”.
Përveç kësaj, anësori ka zbuluar: “Që nga dita e parë i thashë Jorge (Mendes) se opsioni i parë ishte të qëndroja te Barcelona. Ai më kuptoi në mënyrë perfekte. Ne arritëm një marrëveshje dhe jam i lumtur që klubi më ka besuar. Kam marrë oferta nga jashtë, por isha shumë i qartë për këtë zgjedhje. Gjithmonë kam ëndërruar të kem sukses te Barça”. Ansu Fati ishte i shoqëruar në momentin e firmës mbi kontratën e re nga menaxheri i tij, Jorge Mendes, dhe prindërit.