Vrasja e gjeneralit Qassem Soleimani nga forcat Amerikane më 2 janar në Irak ka shtuar vëmendjen e forcave anti-terror në vendin tonë.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se, agjentët e anti-terrorit gjatë ditëve të fundit kanë rritur shkëmbimin e informacionit me agjensitë vendase dhe të huaja ligjzbatuese, teksa vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim shtetasit iranianë që qëndrojnë në vendin tonë për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist.
Qassem Soleimani ishte komandant i forcave revolucionare Quds të Iranit.
Celula që do bënte sulme në Shqipëri
Ndërsa tetorin e vitit të kaluar, policia shqiptari deklaroi se zbuloi një celulë që drejtohej nga forcat Quds e cila do të organizonte sulm terrorist në Kryegjyshatën Botërore bektashiane në Tiranë ditën e Sulltan Nevruzit.
Në atë kohë u ndaluan tre iraninë nga anti-terrori që deklaruan se ishin gazetarë dhe kishin ardhur në Shqipëri me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Hetimet për celulën terroriste nisën në mars të 2018-ës nën drejtimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi dhe njësisë së antiterorit në Policinë e Shtetit.
Si rrjedhojë e këtij hetimi pati dhe lëvizje diplomatike në Tiranë, ku ambasadori i Iranit dhe një diplomat i ambasadës iraniane u dëbuan për cënim të sigurisë kombëtare.
Sa rrezikon Shqipëria?
Pavarësisht luftës së gjatë në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, të paktën deri tani. Por ky fillimviti ka qenë mjaft i paparashikueshëm, duke alarmuar mbarë botën për mundësinë e një përplasjeje ushtarake mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Edhe pse qindra milje larg këtij konflikti shkatërrimtar, Shqipëria ka të ngjarë të preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga urdhri i Presidentit Donald Trump të enjten për të vrarë gjeneralin iranianin Qasem Soleimani, komandant Forcave Quds. Ky urdhër ka zhytur jo vetëm dy kundërshtarët, por edhe vendin tonë në territor të paeksploruar. Nuk ka dyshime se Shqipëria është vendi i fundit që do të donte të përfshihej në këtë “lojë politike”, por strehimi i më shumë se tre mijë anëtarëve të opozitës iraniane, ka bërë që vendi ynë të jetë tanimë në “shënjestrën” e regjimit.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej muajsh se vendi nuk do të mund të qëndrojë larg një konflikti të tillë. “Shqipëria është përfshirë papritur në një prej konflikteve më të rrezikshme gjeopolitike të kohëve të sotme, ajo që vë Iranin kundër Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit dhe koha për ta bërë këtë nuk mund të ishte më e keqe”, shkruante në qershor “World Politic Review”, një nga mediat më serioze në SHBA. “Disa nga mbështetësit kryesorë të Trump dhe administrata e tij janë duke e vendosur Shqipërinë në qendër të dosjes së Iranit. Ndoshta mbështetësi më i madh i MEK është Rudy Guliani, miku i afërt i Trumpit, i cili dëshiron që muxhahedinët të qeverisin Iranin Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kriza politike e Shqipërisë e ka kthyer atë në një objektiv për aktorët keqdashës që kërkojnë të përfitojnë nga një komb i hutuar dhe i ndarë”, theksonte kjo media.
“Fox News” shkruante nga ana tjetër se agjentët iranianë janë vendosur tanimë në Tiranë, pasi “preja” kryesore e regjimit islamik janë muxhahedinët e strehuar në Shqipëri. Udhëheqësit e regjimit druhen se për shkak të lidhjeve të forta të organizatës me ligjvënësit amerikanë, Presidentit Donald Trump mund të jetë duke planifikuar të vendosë sa më parë muxhahedinët në krye të Iranit. Në këto kushte ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’i ndalur.