Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama shprehet se ligji special ose i njohur ndryshe si paketa antiKÇK është frymëzuar nga dashuria për vendin dhe vullneti që ka qeveria për të shkatërruar krimin e organizuar në vendin tonë.
Kryeministri deklaron se ky ligj është marrë shembull nga ato në Itali dhe Britaninë e Madhe që goditën mafien dhe terrorizmin.
“Koha do të provojë përsëri edhe njëherë se dashuria për vendin, vullneti për ta bërë shtet modern Shqipërinë, vendosmëria për t’i rënë me kokë mureve të vjetra, do të fitojnë mbi hipokritët, dembelët e parazitët që jetojnë me llafe, gënjeshtra e broçkulla duke helmuar shqiptarët! Ligji Special është frymëzuar nga dashuria për këtë vend dhe vullneti i hekurt për të shkatërruar burimet financiare të krimit, duke marrë shembull nga historitë e suksesit të vendeve si Italia e Britania e Madhe që me ligjet speciale goditën në zemër mafian apo terrorizmin”, thotë Rama në Twitter.
Sipas kreut të qeverisë, paketa është reagimi i duhur në momentin e duhur pasi sakrifica e policisë po poshtërohet nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Përveç Partisë Demokratike, Rama shprehet se edhe analistët në televizion po i kundërvihen asaj. Këtë gjë ai e quan “një përçartje kolektive”.
“AntiKÇK është reagimi i duhur në kohën e duhur, kur puna e sakrificat e policisë poshtërohen nga prokurorë&gjykatës të korruptuar, të cilët janë partnerë të krimit jo nuk dënojnë, po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar dhe punojnë të kapin ç’të kapin para se t’i fshijë Vetingu. Jo vetëm PD, po edhe plot të ashtuquajtur analistë e komentatorë po i kundërvihen antiKÇK-së, në një përçartje kolektive brenda kutisë së televizorit! Sepse për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave së tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin”, shkruan më tej kreu i qeverisë.