Mazhoranca është tërhequr nga gjysma e të ashtuquajturës “paketa antishpifje”, duke vendosur që të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Socialistët shfrytëzuan dekretin e Presidentit Ilir Meta që e ka kthyer këtë ligj për rishqyrtim në Kuvend. Ata nuk e rrëzuan dekretin, por e lanë pezull deri më 20-21 mars deri kur Venecia pritet që të dalë me një opinion përfundimtar.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi heqjen nga rendi i ditës dhe shtyrjen e shqyrtimit të këtij dekretit, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për tërheqje nga e gjithë paketa antishpifje, por vetëm nga ligji për mediat audiovizive.
“Do të propozoja që votimi i dekretit për mediat audiovizive, jo për AKEP-in, sepse aty situata është tejet e qartë dhe asnjë partner nuk ka patur asnjë referencë negative, por sa i takon ligjit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet. Të qëndrojë në programin e Kuvendit, por të shtyhet diskutimi deri kur Venecia të sjellë raportin e vet më 20-21 mars”, tha Balla.
Sipas Ballës, Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën për ta shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë çështje dhe pritet që në ditët në vijim ekspertët e Komisionit të mbërrijnë në Tiranë për t’u takuar me përfaqësues të institucioneve dhe të medias në vend.
PS thotë se vendosi të tërhiqet nga projektligji i qortuar fort nga organizatat dhe shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit për të marrë një opinion më të thelluar.
“Kemi vijuar komunikimin tonë me partnerë të tjerë të rëndësishëm. Kemi qenë në komunikim për disa çështje që kanë kërkuar sqarim dhe bashkërisht kemi vendosur që të kërkohet një opinion me i thelluar nga institucioni që e kemi gjithëpranuar, siç është Komisioni i Venecias, për një opinion të plotë për ligjit”, u shpreh ai.