Aktualitet Anulimi i faljes së namazit/ Rama falënderon KMSH-në dhe citon profetin Muhamed

Anulimi i faljes së namazit/ Rama falënderon KMSH-në dhe citon profetin Muhamed

Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar për të anuluar faljen e namazit të xhumasë dhe çdo tubim nëpër xhami. Rama tha në “Facebook” se KMSH meriton vetëm respekt për këtë vendim të duhur.

““Kur bie epidemia as mos shko aty ku ka rënë as mos lëviz nëse bie aty ku je”, porosit profeti Muhamed, paqja e zotit qoftë mbi të. Respekt, respekt, respekt për komunitetin mysliman që vendosi anulimin e faljes së namazit dhe të çdo tubimi nëpër xhami. Ky është jo vetëm vendimi i duhur në kohën e duhur, por edhe mesazhi më kuptimplotë që komuniteti mysliman mund t’i jepte mbarë popullit shqiptar”, shkruan Rama.

KMSH vendosi këtë të mërkurë të marrë masa prej koronavirusit.

“1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

2- Anullimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anullohet edhe falja e namazit të xhumasë.

3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.”

Sipas KMSH, prioritare duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe shëndetit. Reagimin Komuniteti Mysliman Shqiptar e mbylli me një lutje për Zotin.

“Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.” Lusim Zotin e Gjithmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.”